Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, priti dje në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të SELEC, Toni Jakomvski, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të vendit tonë dhe Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Europën Juglindore SELEC, në luftë kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit.
Toni Jakomvski i ka dorëzuar Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki ÇAKO, certifikatën e nderit me motivacion "Në mirënjohje për arritjen e rëndësishme në luftën ndërkombëtare kundër Krimit të Organizuar", për pjesëmarrjen dinjitoze në operacionin "Balkan", i cili është vlerësuar si më i suksesshmi në Europën Juglindore për vitin 2016, në mes shumë operacionesh të tjera.
Ai ka falëndëruar Çakon për kontributin e tij personal si dhe për pjesëmarrjen aktive të strukturave Policore Shqiptare në hetime të përbashkëta me vendet e rajonit, veçanërisht në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Drejtori i Policisë së Shtetit ÇAKO, ka falënderuar Drejtorin e SELEC për këtë vlerësim që i është bërë Policisë Shqiptare.
"Akordimi i kësaj certifikate tregon më së miri besimin që kanë partnerët tek Policia e Shtetit.
Bashkëpunimi me SELEC dhe me të gjithë partnerët tanë, është me shumë rëndësi, qoftë në luftë kundër krimit të organizuar , ashtu edhe në luftë kundër terrorizmit, në interes të sigurisë në rajon e më gjerë".
Jakomvski ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda Ardian Çipa, ku ka shprehur vlerësimet maksimale për bashkëpunimin midis autoriteteve Policore Shqiptare dhe SELEC, i cili gjatë këtij viti ka qenë shumë i suksesshëm në luftën kundër krimit të organizuar, në veçanti në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike.
Gjithashtu në takimin e zhvilluar me Drejtorin e Antiterrorit në Policinë e Shtetit Gledis NANO, Drejtori i Përgjithshëm i SELEC theksoi shkëmbimin në vazhdimësi të informacioneve të ndërsjella në funksion të procedimeve penale në ndjekje, si dhe në marrjen e masave të përbashkëta duke koordinuar veprimet në kryerjen e operacioneve dhe hetimeve të përbashkëta kundër aktiviteteve kriminale e terroriste.
Gjatë këtij viti, falë mbështetjes së SELEC, janë realizuar një numër i konsiderueshëm takimesh për shkëmbimin e informacioneve në funksion të procedimeve penale në ndjekje.
Policia e Shtetit Shqiptar ka numrin më të madh të pjesëmarrjes në hetime të përbashkëta në Evropën Juglindore për vitin 2016
SELEC ka treguar se është platforma më e mirë për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, koordinimin e hetimeve të përbashkëta dhe finalizimin me sukses të operacioneve rajonale në Evropën Juglindore.
Në vijim: Operacioni ndërkombëtar antidrogë "BALLKAN", në Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe Bullgari i finalizuar në Korrik 2016, ku janë arrestuar 30 persona dhe 23 u shpallën në kërkim që çoi ne sekuestrimin e:- 27 kg Heroinë, 2 kg Kokainë, 184 kg Marijuanë, 38000 EURO, 1,5 milion Lekë, 4 automatikë, 68 aparate celulare.
Vlen të përmendet fakti se ky operacion është vlerësuar dhe në raportet e SELEC dhe është cilësuar si operacioni më i mirë dhe i suksesshëm në të gjithë rajonin.