Zbulohet statuti i partisë së Blushit, ja pikat kyçe të saj

Shqipëria

Zbulohet statuti i partisë së Blushit, ja pikat kyçe të saj

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 22:06
LIBRA

“Kam kënaqësinë tju prezantoj MANIFESTIN.LIBRA”, shkruan Ben Blushi duke bërë publike dhe librin e rregullave të partisë më të re.

Më poshtë konturet e partisë më të re dhe arsyet pse lindi ajo.

Manifesti LIBRA

 Të ndërgjegjshëm se Shqipëria është vonuar dhe penguar në procesin e integrimit në Bashkimin Europian për shkak të mungesës së reformave, varfërise dhe cënimit të shtetit ligjor,

 Të shqetësuar për shkak të degradimit dhe paaftësisë së partive të vjetra për të garantuar demokraci funksionale, rritje ekonomike, punësim, mirëqenie dhe arsim për të gjithë,

 Të hidhëruar nga braktisja masive e Shqipërisë, së përgjysmuar në 25 vjet për shkak të mungesës së shpresës,

 Të indinjuar se burimet natyrore të vendit po shpërdorohen në mënyrë barbare nga korrupsioni, mungesa e vizionit dhe paaftësia kronike e qeverive,

 Të alarmuar nga rritja e polarizimit social, që ka çuar në shtimin e varfërisë së përgjithshme dhe dobësimin e shtresës së mesme, duke rritur pabarazinë dhe padrejtesitë në kurriz të shtresave më të dobëta të shoqërisë,

 Të vetëdijshëm se cënimi i vazhdueshëm i interesit publik në arsim do vazhdojë të prodhojë pabarazi, papunësi, injorancë dhe korrupsion, duke penguar modernizmin e administratës publike dhe krijimin e një brezi të edukuar profesionistësh të pavarur,

 Të revoltuar nga papunësia e qindra mijëra të rinjve, të cilët nuk arrijnë të gjejnë një punë të merituar në kushtet kur administrata shqiptare mbetet pronë dhe parcelë e partive të vjetra dhe jo e shoqërisë,

 Të kërcënuar nga mungesa e zbatimit të standarteve demokratike si dhe financimet e dyshimta të partive të vjetra, të cilat janë kthyer në rrezik për pluralizimin, kushtetueshmërinë dhe zgjedhjet e lira në vend,

 Të neveritur nga lidhjet e krimit me politikën si dhe nga tendenca gjithnjë e më e dukshme e partive të vjetra për të rekrutuar në administratë e sjellë në parlament individë me precedentë penalë në këmbim të votave,

 Të bindur se klasa politike e vjetër do të vazhdojë të prodhojë kriza në dëm të shoqërisë, ngurtësim te demokracisë, pengesë të drejtësisë dhe zvarritje të reformave ekonomike,

 Të përcaktuar për të bërë çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes së vendit, duke përshpejtuar procesin e integrimit europian përmes reformave serioze, të shpejta dhe moderne,

 Të vendosur për të bërë çdo sakrificë në mënyrë që Republika e Shqipërisë t’i garantojë të gjithë qytetarëve të saj pa dallim Liri, Drejtësi, Barazi, Dinjitet dhe Solidaritet,

 Kemi vendosur te themelojme Listën e Barabartë. Akronimi i saj publik do të jetë LIBRA.

 Organizimi i LIBRA

LIBRA ka faqen e saj zyrtare libra.al, në të cilën do të rregjistrohen me vullnet dhe transparencë të gjithë ata qytetarë që pranojnë rregullat e funksionimit si dhe parimet e saj politike.

 LIBRA është një organizatë politike që merr pjesë në zgjedhje dhe si e tillë do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke kërkuar anëtarësimin e kujtdo që gjen mbështetje, frymëzim dhe ide të reja në programin e saj.

 LIBRA do të funksionojë mbi parimin demokratik të vendimarrjes së përbashkët kolegjiale, duke sanksionuar në Librin e Rregullave edhe votimin on line për të gjitha vendimet e saj kryesore si zgjedhjet e brendshme, përcaktimin e qëndrimeve të rëndësishme politike, programin politik dhe përzgjedhjen e kandidatëve për të gjitha llojet e zgjedhjeve që mbahen në Republikën e Shqipërisë.

 LIBRA do të respektojë parimin e ndarjes dhe kufizimit të mandateve, duke garantuar të gjithë anëtarët e saj se do të mbetet pronë e përbashkët e vullneteve individuale dhe si e tillë do të funksionojë në mënyrë të përhershme kolegjiale.

 LIBRA do të vetëfinancohet përmes kuotave të anëtarësisë së saj dhe do të bëjë transparencë periodike për të gjitha donacionet, duke shmangur të ardhurat nga burime të dyshimta si dhe çdo donacion që mund të ndikojë në cilësinë dhe cënimin e parimeve të saj themelore.

 LIBRA synon të përfaqësohet dhe të kthehet në një platformë lirie për të rinjtë, me besimin se vetëm brezat e rinj mund ta modernizojnë shoqërinë dhe vendin.

 LIBRA do të tërheqë në organizimin e vet edhe shqiptarët jashtë atdheut, për të nxitur dhe frymëzuar pjesëmarrjen aktive të tyre në jetën politike të Shqipërisë.

 Parimet e LIBRA

 LIBRA do të thotë DIJE, LIRI dhe EKUILIBËR.

I ditur, i lirë dhe paqësor, ky do ishte identikiti dhe identiteti i shqiptarit, që LIBRA kërkon të përmbushë.

 LIBRA beson se mungesa e Dijes, kufizimi i Lirisë dhe cënimi i Ekuilibrit Social janë arsyet themelore të prapambetjes së Shqipërisë. Shoqëria shqiptare ka mangësi të theksuara në shkollimin e brezave të rinj, ka një demokraci të kapur dhe të korruptuar, e cila nuk i garanton por përkundrazi i prek liritë kushtetuese dhe ato universale dhe për këtë shkak vendi nuk ka arritur pothuajse asnjëherë të sigurojë një ekuilibër social të shëndetshëm mes gjeneratave, mes zonave urbane dhe atyre rurale, të pasurve dhe të varfërve si dhe mes palëve politike, gjë që ka shkaktuar shumë varfëri, shume pabarazi dhe shumë emigracion.

 LIBRA e përcakton veten si një organizatë politike e qendrës, që beson se Interesi Publik dhe mbrojtja e tij është ideologjia themelore e saj.

 LIBRA nuk mbështet atë që është popullore, por atë që është e drejtë.

 LIBRA beson se bindjet nuk duhet të ndikohen nga ideologjia e ngurtë dhe se vendimet duhet të merren duke gjykuar mbi realitetin. Profili i saj i qendrës synon të shmangë apo të pengojë që shoqëria të shkojë në ekstreme, si majtas ashtu edhe djathtas, me bindjen se duke bashkëpunuar mund të zgjidhen më shumë çështje që kërkojnë përgjigje të shpejta dhe të qëndrueshme.

 LIBRA nuk paragjykon askënd për shkak të etnisë, gjinisë, pasurisë, moshës, përkatësisë fetare, orientimit seksual apo bindjeve të mëparshme politike dhe do të inkurajojë dhe nxisë mendimin ndryshe në të gjithë veprimtarinë e saj politike.

 LIBRA do të kërkojë që parimi i demokracisë së drejtpërdrejtë të ushtrohet dhe të sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke nisur me Presidentin e Republikës, si dhe duke këmbëngulur për ndryshimin e sistemit të zgjedhjeve, që i jep monopolin e administrimit dhe numërimit të votës partive të vjetra, duke cënuar rëndë parimin e barazisë kushtetuese.

 LIBRA do të bëjë çdo përpjekje për të nxitur edukimin e fëmijëve shqiptarë përmes rritjes së investimit për arsimin publik, garantimit rigoroz të meritës për të gjithë të rinjtë që duhet të ndjekin shkollën si një detyrim ndaj vendit dhe shoqërisë.

 LIBRA do të mbështesë shtresat në nevojë, të varfërit dhe shtresën e mesme, me bindjen se të pasurit e Shqipërisë i kanë krijuar ose i kanë përvetësuar partitë e vjetra, që i përfaqësojnë ata më së miri në Parlamentin e Shqipërisë.

 LIBRA do të kërkojë që shoqëria të mbështesë të papunët, të rinjtë dhe të pamundurit përmes politikave të solidaritet intensiv, përkrahjes sociale, arsimit të detyruar dhe financimit të shërbimeve themelore, duke përcaktuar minimumin jetik si bazën e panegociueshme të të ardhurave për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

 LIBRA beson se një shoqëri është e begatë, e shëndetshme dhe harmonike kur ka më pak të varfër dhe më shumë shtresë të mesme. Më pak varfëri do të thotë më shumë drejtësi, më shumë punë dhe më shumë pasuri.

 LIBRA beson se varfëria është armiku që duhet mundur nga shqiptarët. Varfëria që po rritet është burim emigracioni, korrupsioni, padrejtësie, papunësie dhe pabarazie, çka cënon jo vetëm të ardhmen, por edhe rendin kushtetues, nëse nuk zbutet me masa të shpejta dhe të vendosura.

 LIBRA do të kërkojë rritjen e menjëhershme të pagave për administratën publike si dhe shtesën e pagës minimale, me bindjen se më shumë para në duart e atyre që punojnë do të thotë më shumë investim tek ekonomia shqiptare.

 LIBRA është e vendosur të barazojë pagat e grave me ato të burrave në çdo sektor të punësimit, qoftë në atë publik, qoftë në atë privat, çka do ta reformonte tregun e punës, duke e vënë në kushte barazie dhe drejtësie gjinore.

 LIBRA kërkon të ndryshojë plotësisht mënyrën e shfrytëzimit të deritanishëm të pasurive strategjike kombëtare, duke u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë të investojnë të ardhurat e tyre në kompanitë publike, të cilat duhet të administrohen, kur është e mundur nga shteti, në dobi të shoqërisë dhe interesit publik.

 LIBRA është e vendosur të zgjidhë sa më shpejt çështjen e pronësisë, duke ndryshuar frymën e ligjeve në fuqi, të cilat kanë tjetërsuar dhe grabitur pronat e qytetarëve shqiptarë, duke krijuar padrejtësi, krim dhe vetëgjyqësi si dhe duke ndikuar në dobësimin e ekonomisë kombëtare.

 LIBRA do të mbështesë konkurencën e lirë dhe inisiativën e të gjithë individëve, të cilët duhet të garantohen dhe mbrohen nga shteti në veprimtarinë e tyre të sipërmarrjes së lirë.

 LIBRA beson se prodhimi është e ardhmja e ekonomisë së vendit dhe për këtë shkak ajo do të nxisë rritjen e prodhimit si dhe shkëputjen e ekonomisë kombëtare nga tradita e dobët e një ekonomie të bazuar vetëm mbi tregtinë dhe importin e mallrave.

 LIBRA mendon se natyra është pasuria më e madhe e vendit dhe si e tillë ajo duhet mbrojtur me çdo kusht dhe me çdo çmim nga abuzimet, shfrytëzimet pa kriter si dhe investimet e veprimet armiqësore ndaj mjedisit tonë, siç është dhe importi i mbetjeve të huaja. Për këtë arsye, ajo do të nxisë politika të rrepta, të cilat do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e mirëqënies së përgjithshme si dhe në balancimin e interesave të sipërmarrjes private me interesin publik në funksion të një natyre të mbrojtur dhe një ekonomie të begatë.

 LIBRA beson se politika më e mirë e jashtme e një vendi është politika e brendshme. Një shtet i drejtë, i integruar, që garanton rritje ekonomike, punësim dhe arsim për shtetasit e vet është më i fortë dhe më i besueshëm në mbrojtjen e interesave strategjike të vendit.

 LIBRA inkurajon marrëdhënie partneriteti reciprok me të gjithë fqinjët, duke besuar se Republika e Shqipërisë mund dhe duhet të ndihmojë diasporën shqiptare kudo ku ajo jeton, si një vend paqësor, që ndërton të ardhmen e vet në bashkëpunim me të gjithë popujt e tjerë.

 LIBRA beson vetem tek e ardhmja. E shkuara nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë në asnjë rast pengesë për të nesërmen.

 LIBRA është një projekt politik që fton sot çdo shqiptar të jetë pjesë e të nesërmes.

 Ju ftojmë ta miratojmë Manifestin tonë, me bindjen se do të jeni të gjithë LIBRA!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat