Nga viti ’97, mbi 10 mijë persona kanë humbur jetën në Shqipëri nga armët

Shqipëria

Nga viti ’97, mbi 10 mijë persona kanë humbur jetën në Shqipëri nga armët

Më: 15 nëntor 2016 Në ora: 11:26
Saimi Tahiri

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi të martën, se “nga viti 1997 dhe deri tani, në Shqipëri kanë humbur jetën ose janë plagosur rëndë mbi 10 mijë qytetarë shqiptarë”.

Duke promovuar fushatën ndërgjegjësuese kundër përdorimit të armëve të paligjshme, ministri Tahiri u bëri apel të rinjve që të rerfuzojnë modelin e mbajtjes së një arme të paligjshme. “Sot Shqipëria ka një problem me armët e paligjshme që në mënyrë të padrejtë janë kërcënim i vazhdueshëm për qytetarët dhe shoqërinë. Në përpjekjen tonë 20-vjeçare, ndonëse ka përparim, janë mbi 10 mijë qytetarë që kanë humbur jetën apo janë plagosur rëndë nga armët e paligjshme që nga viti 1997, janë shifra që të lënë pa gojë”, tha Tahiri.

Sipas tij, “sot armëmbajtja shërben si një ndër zgjidhjet më të para për konfliktet e çastit, dhe ky problem shkakton pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e qytetarëve”. Ministri i Brendshëm u shpreh se kemi një problem të dyfishtë, pasi nga njëra anë mbetet ende shumë e kollajtë për qytetarët që të gjejnë një armë e ta përdorin dhe nga ana tjetër kjo vjen për shkak të mungesës së një sistemi solid të drejtësisë”.

Tahiri tërhoqi vëmendjen për rastet kur të rinj apo të reja, shpeshherë edhe artistë që duhet të shërbejnë si model pozitiv, i shfaqen publikut me një armë në dorë. “Do më pëlqente nëse do t’i bënin jehonë një libri, kënge apo pikture më shumë se sa armës, konfliktit apo dhunës”, tha Tahiri.

Ai siguroi se në bashkëpunim me partnerët e Bashkimit Europian dhe Kombet e Bashkuara do të ndërmerret një tjetër fushatë e gjerë në Shqipëri, në çdo qytet, fshat apo shtëpi, për mbledhjen e armëve pa leje. “Nuk është detyrë e lehtë, por Shqipëria ka kaluar disa fushata të tilla për mbledhjen e armëve”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat