Trafikantët dogjën gomonen në Karaburun dhe braktisën drogën nëpër pyll, Policia jep detajet

Shqipëria

Trafikantët dogjën gomonen në Karaburun dhe braktisën drogën nëpër pyll, Policia jep detajet

Më: 15 nëntor 2016 Në ora: 14:19
Skafi

Një ditë më parë një skaf i djegur u gjet në Gjirin e Gramës në Karaburun pas një ndjekje që i bëhej nga Policia Kufitare e Vlorës dhe Guardia di Finanza.

Policia e Shtetit ka sqaruar zyrtarisht operacionin e zhvilluar mbrëmjen e 13 nëntorit, dhe që u finalizua paraditen e 14 nëntorit kur shërbimet kufitare zbuluan gomonen e djegur, dhe pranë saj disa thasë plastmasi me kanabis. 

Trafikantët kanë braktisur skafin dhe e kanë djegur atë për të humbur gjurmët. Ata janë larguar nga mali në gadishullin e Karaburunit, ku kanë tentuar të marrin edhe drogën me vete. Por të vënë nën presionin e policisë i cila po i ndiqte, skafistët kanë lënë drogën në pyll dhe janë arratisur. 

Nga kontrollet e kryera në zonë policia sekuestroi 224 kilogramë lëndë narkotike kanabisi e cila u gjet në pyll dhe pranë gomones. Policia ende nuk ka identifikuar autorët dhe thotë se po punohet për kapjen e personave të dyshuar.

“Pas ndjekjes nga Policia Kufitare e Vlorës dhe Guardia di Finanza Italiane, shërbimet e Policisë Kufitare të Dhërmiut konstatuan paraditen e 14 nëntorit në "Gjirin e Shën Andreas", në breg, një gomone, e cili po digjej dhe në afërsi të tij disa qese dhe thasë plastmasi. Përshkrimi i mjetit  lundrues  përputhej me informacionin që dispononte Policia dhe që ishte vënë në ndjekje të tij. Policia ushtroi kontrolle nga deti dhe toka për personat që  dispononin gomonen, me gjatësi 12 metra, me dy motorë të markës Mercury" me fuqi motorike 350hp i cili në pjesën fundore ishte i djegur plotësisht ndërsa në bordin e mjetit vazhdonte të digjej Cannabis Sativa.  Në vendin përreth gomones gjendej e përhapur dhe në thasë plastike Cannabis Sativa dhe qese plastike të ambalazhuara me mbishkrime në gjuhën Italiane. Po gjatë kontrollit në një zonë të pyllëzuar u gjetën edhe disa pako të mëdha me lëndë narkotike. Përreth vendit ku u konstatua gomonia si dhe në zonën e pyllëzuar u gjet dhe u sekuestrua rreth 224 kg lëndë narkotike”, thotë policia në njoftimin zyrtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat