Kreu i këshillit Shqiptaro-Europian: Nuk bëhem dekor për Ramën, mërgimtarët u harruan

Shqipëria

Kreu i këshillit Shqiptaro-Europian: Nuk bëhem dekor për Ramën, mërgimtarët u harruan

Më: 18 nëntor 2016 Në ora: 08:10
Presidenti i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Europian Ramadan Gjanaj

26 vite pas ndryshimeve pluraliste parademokratike në Shqipëri, bilanci i ndryshimeve për mërgatën politike shqiptare dhe trashëgimtarët e saj i papërfillshëm.

Presidenti i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Europian Ramadan Gjanaj, i dërgoi Kryeministrit të Shqipërisë një Letër të Hapur ku shpreh qendrimin e tij se përse nuk do të marrë pjesë në Samitin e Diasporës. Voal po ju sjell më poshtë të plotë Letrën e zotit Gjanaj:

“SH.T. Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama

Lënda: Samiti i Diasporës Tuaj

I nderuar Z. Kryeministër!

Para 3 muajsh mora një ftesë nga ana Juaj, për të marrë pjesë në Samitin e parë kushtuar “Diasporës Shqiptare”, që do të tubohet në Tiranë në datat 18-20 nëntor 2016.

Fillimisht kjo iniciativë më gëzoi pa masë, ndaj dhe u përgjigja pozitivisht pranë ambasadores së Shqipërisë në Bruksel, Zj. Suela Janina.

U përgjigja pozitivisht ngaqë ky eveniment përkonte edhe me 60-vjetorin e ardhjes në Belgjikë të refugjatëve politikë shqiptarë, në mënyrë masive dhe të organizuar, teksa ishin larguar nga atdheu dhe trojet e të parëve nën trysninë e plumbave dhe terrorit të diktaturës famëkeqe sllavokomuniste.

Jam i prirur të besoj se gjatë fazës përgatitore të këtij “samiti”, njerëzit Tuaj këtu në Belgjikë ju kanë bërë me dije për zanafillën e mërgatës shqiptare të Belgjikës, e cila është vendosur në këtë vend mikpritës qysh në vitet të para pas LDB, si pasojë e persekutimit në vendlindje për shkak të bindjeve politike antikomuniste dhe kombëtariste, për një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe demokratike.

Edhe pse shumica e këtyre mërgimtarëve politikë kishin marrë rrugën e një ekzili të vështirë dhe të mundimshëm, duke braktisur gjithçka për të shpëtuar jetën, nderin dhe dinjitetin, ata nuk i braktisën asnjëherë gjuhën, kulturën, traditat më fisnike shqiptare, bindjet dhe vlerat morale të mbartura brez pas brezi, si dhe besimin se një ditë historia do t’u jepte të drejtë.

Në shërbim të këtyre bindjeve nacionaliste dhe patriotike ata nuk rreshtën kurrë së vepruari denjësisht në dobi të çështjes kombëtare dhe të atdheut, duke organizuar aktivitete politike për rrëzimin e diktaturës komuniste, vendosjen e demokracisë, rifitimin e lirisë dhe pavarësimin e të gjithë trojeve etnike, edukimin e brezave për trashëgimin e vlerave dhe referencave kombëtariste si qëllim madhor.

Ndryshimet e fillim-viteve ‘90 ngjallën shumë shpresa tek emigracioni politik shqiptar dhe trashëgimtarët, që gjithmonë e kanë konsideruar vehten si pjesë e pandarë e kombit dhe popullit shqiptar, e fateve dhe halleve të vendit, duke ndarë gëzimet dhe hidhërimet me bashkatdhetarët.

Por sot, 26 vite pas ndryshimeve pluraliste parademokratike në Shqipëri, bilanci i ndryshimeve për mërgatën politike shqiptare dhe trashëgimtarët tanë, është i papërfillshëm:

Asnjë nga persekutorët dhe xhelatët që kryen krime dhe terror gjatë diktaturës nuk u dënua!

Asnjë dosje e shefave dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit famëkeq nuk u hap!

Lustracioni duket sikur pritet qëllimisht të kryhet vetëm nga natyra dhe Zoti!

Madje krimet të llahtarshme nuk u dënuan as simbolikisht, qoftë edhe me ndonjë rezolutë formale të Kuvendit të Shqipërisë, prej të cilit në të gjitha legjislaturat paspluraliste u injoruan edhe shqyrtimi, miratimi dhe zbatimi i rezolutave të ndryshme të Këshillit të Europës!

Përkundrazi, simbolet e regjimit gjakatar komunist vazhdojnë të ruhen me kokëfortësi dhe fanatizëm por edhe duke u shfaqur gjithkund, sipas agjendave dhe nevojave politike, ndërkohë që pushtetet dhe qeveritë i përdorin për qëllime klienteliste, teksa heshtin me vetëkënaqësi triumfuese, ose brohorasin për të mbuluar me zhurmë mosveprimin e tyre formal.

Viktimat e djeshme të diktaturës vuajnë ende pasojat e një diskriminimi perfid apo të hapur, dhe për këtë arsye kur flasim për një Samit të diasporës, nuk mund të lemë pa përmendur se pinjollët dhe bijtë e mërgatës politike edhe sot e kësaj dite nuk gëzojnë asnjë të drejtë, madje kalohet në heshtje nga Shteti shqiptar edhe vetë ekzistenca jonë.

Kjo e vërtetë e dhimbshme konstatohet edhe në dokumentet zyrtare dhe ëebsitin e MPJ shqiptare, por edhe në ëebsitin e Kryeministrisë dhe të platformave të ndryshme kushtuar këtij Samiti, ku edhe pse flitet për “diasporën”, nuk gjendet i shkruar asnjë rresht i vetëm për mërgatën politike në pasazhet dedikuar “historisë” së të ashtuquajturës diasporë.

Madje si dëshmi e këtij realiteti absurd dhe të papranueshëm, sot në Shqipëri janë akoma në fuqi një mori ligjesh antikushtetuese që pengojnë dhe diskriminojnë trashëgimtarët e mërgatës politike nga fitimi vetiu i shtetësisë shqiptare dhe, për rrjedhojë, edhe i të drejtave dhe detyrimeve respektive, si çdo shtetas tjetër.

Shumica e të mërguarve politikë, fatkeqësisht, kanë humbur pronat dhe pasuritë e trashëguara, të cilat edhe sot e kësaj dite ndahen me tapi tek të tretë aspak hallexhinj të papronë, por zaptues e përfitues si klientelë politike e për qëllime elektorale, në garën pompoze e mburrjet butaforike se cila forcë politike dhe qeverisje ka ndarë më shumë tapi mbi pronat e pronarëve legjitimë!!?

 “Diaspora”vuan plot dhimbje realitetin shqiptar të shkeljes nga skalionet politike katoviciane të të gjitha parimeve dhe standardeve të gjithëpranuara të Kartave ndërkombëtare dhe konventave ku Shqipëria është nënshkruese dhe palë.

Zhvillimet aktuale e kanë përjashtuar realisht mërgatën politike dhe mbarë “diasporën” nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur me votë demokratike e për të kontribuar me përfaqësim politik për drejtimin dhe zhvillimin e vendit, apo për investime me lehtësira e bonuse, sikurse ftohen investitorët e huaj joshqiptarë, që joshen me insistim me anë të praktikave preferenciale administrative e ligjore.

Ky injorim dhe ky mohim të drejtash themelore të “diasporës” nga ana e autoriteteve shqiptare, nuk mund të ketë arsye tjetër përveçse diferencës së frikshme në botëkuptim, vlera, referenca, koncepte, standarde e kritere bazike midis shqiptarësh brenda dhe jashtë shtetit-amë për sa i përket Shtetit, Kombit, lirisë dhe drejtësisë.

Prandaj, duke u nisur nga këto vlerësime e në pritje që Shteti shqiptar të përafrojë veprimet me deklaratat zyrtare nëpërmjet korrigjimit të kursit ndaj mërgatës politike (gjithnjë në raport me pritshmëritë tona të sipërpërmendura), unë personalisht nuk mundem të marr pjesë, për dekor apo kontorno, në këtë “Samit të Diasporës”, dhe madje as ta konsideroj këtë mbledhje si të tillë.

Kam bindjen e thellë e të patundur se një qëndrim imi i ndryshëm do të kuptohej vetëm si një përkrahje apo mbështetje ndaj ndonjë agjende politike momentale, në mos më keq, si një mohim, prej meje, i vlerave dhe idealeve të trashëguara nga të parët.

Duke shpresuar në mirëkuptimin Tuaj, uroj që me këtë “Samit” t’i realizoni agjendën dhe synimet e planifikuara.

Me respekt

Ramadan Gjanaj

Kryetar

cc:     Z. Ferid Hoxha, Director General of Political and Strategic Issues, MPJ

Zj. Suela Janina, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat