Samiti, Rama: Diaspora rol jetik për ekzistencën e Shqipërisë

Shqipëria

Samiti, Rama: Diaspora rol jetik për ekzistencën e Shqipërisë

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 00:24
Kryeministri Edi Rama

Gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e Diasporës shqiptare që po mbahet në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar praninë e 1 mijë shqiptarëve nga 40 shtete të botës.

“Ju jeni Shqipëria e përmbushur që ushqehet me rrënjët e asaj që quhet atdheu i shqiptarëve. Rrënjët janë të rëndësishme. Pa diasporën Shqipëria është më e cunguar, si një territor me mijëra pjesë. T’ju jesh mirënjohës që keni marrë rrugën nga 40 vende të botës është pak. Shqiptarët mund të arrijnë atë që dëshirojnë nëse bëhen bashkë”, ka thënë Rama. 

Po ashtu, në fjalën e tij Rama ka thënë se diaspora duhet që të shërbejë për Shqipërinë si një shkollë dijeje dhe jete, duke pasur parasysh suksesin e shqiptarëve në mërgim.

Kreut të qeverisë i ka rënë në sy mungesa e presidentit, Bujar Nishani dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, duke kërkuar një lloj ndjese në rast paqartësish në ftesën drejtuar atyre.

Në ketë event, ishte i pranishëm edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjatë fjalës së tij para të pranishmëve e ka quajtur si një iniciativë të jashtëzakonshme bashkimin e diasporës shqiptare në Tiranë. 

“Samiti i Diasporës i organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbledhur sot mbi 1.000 përfaqësues të diasporës nga 40 shtete të ndryshme të botës. Qysh nga koha e Rilindjes Kombëtare, deri te shpallja e pavarësisë, diaspora shqiptare ka qenë një prej shtyllave kryesore të përpjekjeve të kombit tonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, u shpreh Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat