Festat e Nëntorit, në Kamëz mbahet festivali i 22 shkollave 9-vjeçare

Shqipëria

Festat e Nëntorit, në Kamëz mbahet festivali i 22 shkollave 9-vjeçare

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 10:42
Festivali i 22 shkollave 9-vjeçare

Është mbyllur një ditë më parë në festivali i shkollave 9-vjeçare të Kamzës në kuadrin e festave të Nëntorit. Bashkia Kamëz në bashkëpunim me Zyrën Rajonale Arsimore organizuan për disa ditë edicionin e katërt të festivalit të shkollave 9-vjeçare.

Kjo veprimtari u zhvillua në skenën e teatrit të Pallatit të Kulturës të qytetit të Kamzës. Festivali zgjati katër ditë. Stafet arsimore kishin përgatitur programet konkurruese për të paraqitur denjësisht materialet e zgjedhura për këtë konkurrim siç edhe ndodhi.

Në këtë aktivitet morën pjesë 22 shkolla 9-vjeçare. Materialet konkurruese ishin të larmishme, ku u përfshinë këngë, valle, interpretime me instrumente popullore, poezi si dhe interpretime të veprave letrare. Në sallë ishin të pranishëm stafet pedagogjike të shkollave, përfaqësues të institucionit të Bashkisë si dhe organizatorët e këtij eventi mjaft të mrekullueshëm.

Festat e Nëntorit sollën një atmosferë festive në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo grup tjetër ndoqën shpalosjen e talenteve të reja që sjell ky festival. Kryebashkiaku Xhelal Mziu ka mbështetur këtë aktivitet ashtu siç i ka mbështetur vazhdimisht jo vetëm veprimtaritë e shkollave, por edhe të çdo institucioni që kontribuon në gjallërimin e jetës kulturore të qytetit.

Mziu gjithashtu ka shprehur edhe interesimin e vazhdueshëm që mjediset e Pallatit të Kulturës në Kamëz të mbajnë atmosferën e festave të Nëntorit dhe atyre të fundvitit si dhe dyert të jenë të hapura për veprimtari kulturore-artistike, për të gjitha talentet që mbart qyteti i Kamzës, si dhe për të gjitha bashkëpunimet në këtë fushë. 

Dje, kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, ishte i pranishëm në ditën finale të festivalit të shkollave 9-vjeçare të qytetit të Kamzës. Në këtë edicion të katërt të festivalit të shkollave 9-vjeçare, i cili u zhvillua në kuadër të festave të Nëntorit, shkolla “Halit Coka” zuri vendin e parë.

Edhe në këtë veprimtari të organizuar nga Bashkia Kamëz, Zyra Arsimore në bashkëpunim me stafet e shkollave 9-vjeçare, spikati niveli i lartë i interpretimit, talentet e reja në të gjitha zhanret artistike, si dhe kostumet e larmishme, të cilat ishin përgatitur me shumë kujdes nga të gjitha shkollat, të denja për festat e këtij muaji.

Për të përshëndetur pjesëmarrësit dhe për të ndarë çmimet ishte vetë i pranishëm kryebashkiaku Mziu, i cili ka falënderuar të gjithë për angazhimin e tyre në këtë veprimtari. “Dua të falënderoj të gjitha shkollat 9-vjeçare të Kamzës, që për katër ditë rresht sollën një entuziazëm të paparë në qytetin e Kamzës, në këtë Pallat Kulture të mrekullueshëm.

Dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që kontribuuan, pra nxënësit e këtyre shkollave konkurruese dinjitoze; dua të falënderoj të gjithë mësuesit, që punuan për të pasur këtë standard që u pa në këto katër ditë”, - u shpreh ndër të tjera Mziu. Më tej në fjalën e tij ai inkurajoi të gjithë nxënësit e qytetit që të bëhen pjesë e veprimtarive të ndryshme të Pallatit të Kulturës. “Dua të inkurajoj të gjithë nxënësit e këtyre shkollave për të qenë pjesë e Pallatit të Kulturës, që Pallati i Kulturës të mos jetë vetëm pjesë e një festivali, por në mënyrë të vazhdueshme çdo muaj, çdo javë, për të qenë pjesë e aktiviteteve jo vetëm kulturore, por edhe e aktiviteteve të tjera, për të cilat qyteti ynë ka nevojë dhe askush tjetër përveç jush nuk mund të sjellë më shumë se ju në këtë qytet”, - ishin fjalët e kreut të Bashkisë, i cili premtoi gjithashtu se dyert e Pallatit të Kulturës do të jenë të hapura për të gjithë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat