Kokëdhima: Nga LIBRA e Blushit dalin të humbur të gjithë

Shqipëria

Kokëdhima: Nga LIBRA e Blushit dalin të humbur të gjithë

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 12:35
Sekretari për Reformën Strukturore dhe Emigracionin në PS tha, gjatë një takimi me socialistët e njësisë 5 në Tiranë.

Politikani dhe botuesi, Koço Kokëdhima, deklaroi se lëvizja për reformimin e Partisë Socialiste do të ndalojë largime të tjera nga kjo forcë politike. Sekretari për Reformën Strukturore dhe Emigracionin në PS tha, gjatë një takimi me socialistët e njësisë 5 në Tiranë, se “disa miq e rrogëtarë të fshehtë të pushtetit, nëpër media e portale, duan që të heqin një paralele mes lëvizjes sonë politike dhe LIBRA-s së Blushit”.

“Kjo është një strategji e qëllimtë për të manipuluar socialistët e bazës. Armiqtë e reformimit të PS-së i financojnë këto strategji. Lëvizja jonë është një investim për Partinë Socialiste, është investim për fuqizimin, për reformimin, për zgjerimin, demokratizimin dhe çlirimin e saj. Lëvizja jonë do të demotivojë që të krijohen LIBRA të tjera si ajo e Blushit. Lëvizja jonë do të ndalojë largime të tjera nga PS-ja”, tha Kokëdhima. Sipas tij, çdo individ duhet të ketë hapësirë në PS, të kontribuojë për popullin, për zgjedhësit dhe të zhvillojë karrierën e vet.

“Në PS duhet të ndihen mirë edhe ata që nuk e kanë qejf Ramën dhe ata që nuk i ka qejf Rama. Rama nuk është pronar i Partisë Socialiste. Ai është një nga ne. Largimet nga PS-ja nuk janë zgjidhje as për Blushin dhe Hafizin dhe as për Ramën. Nga LIBRA do të dalin të gjithë të humbur, edhe PS-ja, edhe Blushi, edhe Hafizi, edhe Rama. Nëse këta nuk e kuptojnë këtë, kjo është çështje vizioni”, tha politikani socialist.

Gjithashtu, Kokëdhima nënvizoi se lëvizja për reformimin e PS-së nuk ka asgjë të përbashkët me Blushin dhe partinë e tij. “Çdo i majtë që kënaq kriteret e vendosura duhet të ketë hapësirë që të konkurrojë në parti për një post përfaqësues. Nëse dëshiron të zgjidhet kandidat për kryetar bashkie, kandidat për deputet, për këshilltar, për kryetar partie të njësisë, ai patjetër duhet të ketë hapësirë të plotë për këtë gjë. Nuk është demokratike ajo parti që e ndalon individin që të konkurrojë”, u shpreh Kokëdhima. Sipas tij, kandidatët për deputetë duhet t’i zgjedhë anëtarësia e partisë, me parimin “një anëtar, një votë”.

“Injorimi i kësaj të drejte elementare të bazës socialiste do të thotë që në grupin parlamentar të ketë njerëz që nuk i do populli, që në qeveri e në administratë të ketë të korruptuar e të paaftë, që në terren të vazhdojnë të emërohen njerëz që paguajnë nën dorë zyrtarët e lartë, njerëz që kanë lidhje gjaku, krushqie apo miqësie me zyrtarët e shtetit; do të thotë që qeveria dhe bashkitë të vazhdojnë të “pushkatojnë” jetët e qytetarëve, duke ju prishur shtëpitë, sepse nuk i legalizojnë dot për një apo për tjetër arsye”, deklaroi Koço Kokëdhima.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat