Nis kompensimi i pronave, shpërndahen për herë të parë 1.5 miliardë lekë

Shqipëria

Nis kompensimi i pronave, shpërndahen për herë të parë 1.5 miliardë lekë

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 09:33
Prona në Shqipëri, ilustrim

Agjencia e Trajtimit të Pronave shpërndan 1.5 miliardë dhe 47 hektarë tokë për pronarët e shpronësuar gjatë regjimit komunist.

Në zbatim të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” kanë përfituar 153 pronarë dhe janë në shqyrtim pjesa tjetër e dosjeve që ndodhen në Agjenci. Përmes një njoftimi për shtyp që mban firmën e drejtoreshës së ATP-së, Sonila Qato, janë shpjeguar të gjitha praktikat e ndjekura nga agjencia për kompensimin financiar dhe kthimin fizik të tokës.

ATP-ja njofton se, aktualisht ka përfunduar shqyrtimin e 153 aplikimeve, me objekt kompensimin financiar dhe kompensimin fizik nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së, për pronën e njohur me vendimet e ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Shqyrtimi dhe vlerësimi i këtyre aplikimeve është bërë sipas të gjitha kritereve të përcaktuara në ligjin nr. 133/ 2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe VKM-në nr. 223, datë 23.03.2016, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar).

VLERA FINANCIARE 

Vlera e fondit financiar të shpërndarë është 976.832.693 lekë. Sipërfaqja e kompensuar, e njohur me vendimet e aplikimeve të shqyrtuara, është: 99.361 m2 ose 10 ha, e vlerësuar financiarisht tokë truall, 313.115 m2 ose 31.3 ha, e vlerësuar financiarisht tokë bujqësore. Sipërfaqja e shpërndarë nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së për kompensim fizik është 471.935 m2 ose 47.2 ha, tokë bujqësore.

PAGESAT 

Në 118 aplikime, vendimet e tyre përfitojnë kompensim financiar, sipas kritereve të përcaktuara në pikën 18 të Kreut III të VKM-së nr. 223, datë 23.03.2016, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar). Vlera e kompensimit financiar që përfitojnë këto vendime është 960.980.256 lekë. Sipërfaqja e kompensuar, e njohur me këto vendime, është 89.177 m2 ose 8.9 ha, e vlerësuar financiarisht tokë truall.

RASTET E SHQYRTUARA 

ATP-ja ka njohur sipërfaqen e kompensuar 32.925 m2 ose 3.3 ha, e vlerësuar financiarisht tokë bujqësore. Vlera totale e kompensimit financiar, që përfitojnë këto 4 vendime, është 20.347.792 lekë. Sipërfaqja totale e kompensuar, e njohur me këto 4 vendime, është 2.169 m2, e vlerësuar financiarisht tokë truall, dhe 240.913 m2 ose 24.1 ha, e vlerësuar financiarisht tokë bujqësore. Ndërsa në 38 aplikime, vendimet e tyre përfitojnë kompensim fizik nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 17 dhe 19 të Kreut III të VKM-së nr. 223, datë 23.03.2016, Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar), nga të cilat: 8 aplikime, vendimet e së cilëve përfitojnë kompensim fizik nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së.

Sipërfaqja e njohur për kompensim me këto 8 vendime është: 9.856 m2, e vlerësuar financiarisht tokë bujqësore (9.8 ha), dhe 8.015 m2, e vlerësuar financiarisht tokë truall. Për 5 nga këto 8 aplikimet e mësipërme, pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar të tyre, kompensohet fizikisht nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së. Sipërfaqja që përfitojnë këto vendime si kompensim fizik nga fondi i tokës, është 471.935 m2 ose 47.2 ha, tokë bujqësore. Në 4 aplikime, vendimet e tyre nuk përfitojnë kompensim fizik nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së, për shkak se vlerësimi financiar i sipërfaqeve të përfituara nga ligji 7501, datë 19.07.1991, “Për Tokën” rezulton më i madh në krahasim me vlerësimin financiar të vendimit për kompensim të subjekteve përfitues.

Sipërfaqja e njohur për kompensim me këto vendime, e cila konsiderohet e kompensuar, është 22.904 m2 ose 2.3 ha, e vlerësuar financiarisht tokë bujqësore. Për 7 aplikime, vendimet e të cilave përfitonin kompensim fizik, është vendosur përfundimi i procedimit administrativ, për arsye se subjektet kanë hequr dorë nga aplikimi për kompensim fizik. Sipërfaqja e njohur për kompensim me këto vendime, është 39.442 m2 ose 3.9 ha, e vlerësuar financiarisht tokë bujqësore. Për pjesën tjetër të këtyre aplikimeve vazhdon procesi i shqyrtimit, deri në plotësimin e mangësive të dokumentacionit nga ana e subjekteve, të cilat janë njoftuar për t’u paraqitur pranë ATPsë.

LIGJI 

Në zbatim të kuadrit të ri ligjor, të hyrë në fuqi në vitin 2016, si dhe njëkohësisht falë sistemit të ri WEB-GIS që po implementohet me shumë efikasitet nga ATP-ja, për aplikimet e shqyrtuara deri më tani janë evidentuar tre raste me mbivendosje të sipërfaqeve të njohura për kompensim me vendime të ndryshme të ish-KKKP-ve.

Për këto raste të evidentuara me mbivendosje të së drejtës për kompensim, ATP-ja ka vijuar procedurat për ekzekutimin e vendimit në pjesët që nuk kanë mbivendosje. Për pjesën që është me mbivendosje, Agjencia ka depozituar vlerën përkatëse në një llogari të veçantë bankare, e cila, pas zgjidhjes përfundimtare të mbivendosjes, me marrëveshje me njëri- tjetrin ose në rrugë gjyqësore, do t’i paguhet subjektit, sipas përcaktimeve në nenin 18 të ligjit nr. 133/2015, Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Gjithashtu njoftojmë se, të gjitha subjektet të cilët kanë aplikuar apo do të aplikojnë për ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të vlerësuara financiarisht, do të trajtohen me kompensim vetëm pasi të ketë përfunduar shqyrtimi administrativ i kërkesës dhe gjithë dokumentacionit të depozituar nga ana e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat