Gjylameti tërhiqet nga Ligji i Lojërave të Fatit

Shqipëria

Gjylameti tërhiqet nga Ligji i Lojërave të Fatit

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 17:02
Blerina Gjylameti

Një nga 6 firmëtarët e kërkesës për shtyrjen e Ligjit të Lojrave të Fatit, Blerina Gjylameti, do të tërheqë firmën e saj.

Deputetja ka deklaruar në mbledhjen e Grupit Parlamentar se ajo e kishte hedhur firmën, pasi kishte menduar se është një nismë e mbështetur nga partia dhe jo vetëm nga disa deputetë.

Pasi ka kërkuar informacion nga Kryetari i Grupit, Gramoz Ruçi, i cili e ka sqaruar se kjo ishte nismë personale e disa deputetëve dhe jo e qeverisë apo e Partisë Socialiste, Gjylameti ka deklaruar se ajo do ta mbështeste shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit, vetëm nëse kërkesa do të ishte një vendim i të gjithëve.

Deputetët Ervin Bushati dhe Ervin Koçi nga PS, Luan Duzha dhe Ylli Shehu nga LSI dhe Tahir Muhedini nga PDIU e kanë firmosur kërkesën me argumentin se ligji nuk mund të zbatohet pasi nuk kanë dalë aktet nënligjore.

Sqarimi i Ruçit se nisma e tyre nuk ka mbështetjen e Grupit Parlamentar ka hedhur dyshime mbi qëllimin e nismëtarëve, pasi ajo nuk ka ardhur ardhur nga institucionet që kanë përgjegjësinë t’i nxjerrin aktet nënligjore.

Deri më sot, Shefi i Mazhorancës nuk ka dhënë asnjë sqarim mbi kërkesën e deputetëve të tij për ta shtyrë ligjin. Nuk dihet nëse ai u qëndron deklaratave të tij për ta mbyllur këtë aktivitet, që 3 vjet më parë e quante kriminal, apo ka ndyshuar mendje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat