Reagon Bashkia e Durrësit për Lulzim Berishën: Çfarë përmban formulari që plotësoi për punë

Shqipëria

Reagon Bashkia e Durrësit për Lulzim Berishën: Çfarë përmban formulari që plotësoi për punë

Më: 14 dhjetor 2016 Në ora: 22:44
Lulzim Berisha

Pasi BIRN zbuloi sot vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin e ish -kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, për të cilin vetë kryebashkiaku, Vangjush Dako kishte dërguar një letër garanci për punësim, vjen edhe reagimi i Bashkisë së Durrësit.

Burime pranë Bashkisë së Durrësit bëjnë me dije se Lulzim Berisha ashtu si të dënuar të tjerë, me qëllim që të fitonte liri me kusht kanë plotësuar një formular tip, i cili përfshin punë vullnetare në komunitet.

Ky formular, sipas burimeve të Bashkisë së Durrësit ofrohet në të gjitha bashkitë e vendit. Pritet që nesër të ketë një reagim edhe nga kryebashkiaku Vangjush Dako, pasi të shqyrtojë dokumentet në dosjen e gjykatës së Apelit.

BIRN mësoi sot se, treshja e gjyqtarëve të Apelit është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016. “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat,” citohet shkresa e Dakos në vendimin e lirimit.

Më pas, gjyqtarët argumentojnë se “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”.

Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka marrë gjithashtu vlerësimin se Lulzim Berisha “shfaq një gjendje shumë të rënduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të dënimit të vuajtur”, pendesën e tij për krimet dhe faktin se dy prindërit e tij janë të sëmurë rëndë dhe jetojnë vetëm.

Ky vendim solli sot reagime të ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili tha se lirimi Berishës ishte i papranueshëm dhe duhet të na indinjojë. Kambanë alarmi e cilësoi nga ana tjetër edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat