Konferenca e sigurisë, diskutohet vlerësimi dhe parandalimi i kërcënimeve

Shqipëria

Konferenca e sigurisë, diskutohet vlerësimi dhe parandalimi i kërcënimeve

Më: 16 dhjetor 2016 Në ora: 10:12
Konferenca

U zhvillua në Tiranë Konferenca e 2-të “Albanian Security Forum 2016”, organizuar nga kompania “Bizz”, në bashkëpunim me “Smartpress” dhe “Protik”. Mesazhi kryesor i kësaj konference ishte: “Mind the Risk: Be Proactive!”, duke dashur të nxjerrë në pah kërkesën aktuale për miratimin e metodave dhe procedurave për vlerësimin e vazhdueshëm të kërcënimeve dhe burimeve në dispozicion, si dhe të përqendrohet në mbrojtjen e të dhënave kritike të biznesit, nëpërmjet një politike parandaluese dhe investuese në teknologji: zgjidhje, shërbime dhe politika sigurie që krijojnë një qasje proaktive për sigurinë dixhitale.

Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësuesit e qeverisë, institucionet, por edhe drejtuesit e luftës ndaj krimit elektronik, si dhe drejtuesit e kompanive të mëdha nga fusha e sigurisë IT, të sektorit bankar dhe të TIK-ut, të cilët morën pjesë në një dialog të hapur mbi çështjen e sigurisë së informacionit dhe informatikës. Qeveria u përfaqësua nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea. Veçanërisht e rëndësishme ishte dhe pjesëmarrja e Policisë së Shtetit, përfaqësuar nga ekspertja mbi çështjet krimit kibernetik, Suela Bonjaku, si dhe qasja e ALCIRT, përfaqësuar nga Klorenta Janushi.

Përfaqësues të kompanive të sigurisë, po edhe operatorët e telekomunikacionit si dhe prodhuesit e pajisjeve teknologjike, të cilët morën pjesë si folës në konferencë, shpalosën plotësisht tendencat dhe theksuan rreziqet që paraqet peizazhi gjithnjë në zhvillim i kërcënimeve digjitale në infrastrukturën kritike IT.

Folës të tjerë, si Anila Hoxha Tollkuçi, manaxhere e Sigurisë për bankën “Raiffeisen”, Oltion Bregu, supervizor i Sigurisë Operacionale pranë “Vodafone” dhe Ioannis Vordos, manaxher i Produkteve të Sigurisë për “Intracom” (Greqi), theksuan faktin se siguria dixhitale është tani, më shumë se kurrë, një sfidë e madhe për çdo organizatë dhe biznes. Menaxherët e  departamenteve IT në njërën anë, duhet të merren me rreziqet e softuerëve dashakeqes, dhe të mbrohen kundër sulmeve të sofistikuara si APT, ndërsa në anën tjetër, duhet të përshtatin masat e tyre për mbrojtjen e të dhënave në mjedisin e ri të IT, pasi tashmë ai ka marrë një formë tjetër duke qenë se adoptimi i Cloud-it, mobility dhe trendet e tjera janë në rritje.

Në vijim u analizua faktori i parandalimit të kërcënimeve kundër të dhënave kritike të biznesit dhe shmangia e incidenteve që rrezikojnë funksionimin e duhur të tyre. U prezantuan teknologjitë, zgjidhjet, shërbimet dhe politikat e sigurisë, duke krijuar një ndërthurje seksionesh që të çojnë drejt përqasjes proaktive të sigurisë dixhitale.

Gjithashtu u prezantuan shumëllojshmëri modelesh për parandalimin e kërcënimeve, duke theksuar se çdo gjë duhet të kryhet në bazë të nevojave dhe aktiviteteve të çdo biznesi. Që të parashikohen kërcënimet duhet të merret parasysh edhe faktori i jashtëm, por nuk duhet të injorohen kërcënimet e brendshme,të cilat i përkasin një game të gjerë, duke filluar nga pakujdesia e thjeshtë e deri tek qëllimi dashakeqës.

Së fundi, u prezantuan praktikat më të mira të menaxhimit të informacionit dhe vlerësimit të kërcënimeve të paraqitura përmes analizave dhe regjistrimit të incidenteve si dhe propozimet të lidhura me ofrimin e zgjidhjeve inteligjente, që janë shtyllat e një strategjie të sigurisë.

Me të dhëna tepër të vlefshme, të cilat do të shërbejnë si ushqim për meditim, u mbyll konferenca e këtij viti, duke lënë takimin e radhës brenda vitit 2017, kur dhe do të mbahet konferenca e 3-të “Albanian Security Forum”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat