Ligji: Si mund të shkarkohet Presidenti dhe privilegjet pas mandatit

Shqipëria

Ligji: Si mund të shkarkohet Presidenti dhe privilegjet pas mandatit

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 10:15
Presidenca

Institucioni i Presidencës do të ketë për herë të parë një Ligj Organik.

Ai konkretizon kompetencat kushtetuese dhe rregullat e bashkëpunimit me Kuvendin, Kryeministrinë dhe organet e drejtësisë.

Ligji detajon mënyrën e shkarkimit të Kreut të Shtetit kur është i paaftë për të kryer detyrën.

Neni 9 parashikon ngritjen e një Komisioni për të vërtetuar paaftësinë e Presidentit mendore e fizike. Ky Komision vendos nëse është rasti i zëvendësimit të tij nga Kryetari i Kuvendit.

Sipas ligjit të ri, procedura për ngritjen dhe funksionimin e këtij komisioni do të përcaktohet në rregulloren e Kuvendit.

Po sipas nenit 9-të, Presidenti mund t’i kërkojë kryetarit të Kuvendit ta zëvendësojë përkohësisht nëse është i pamundur për të ushtruar detyrën”.

Shqiptarja.com”, zbardh disa nga dispozitat e projektligjit të ri duke u ndalur edhe te privilegjet.

Sipas ligjit, ish-presidentët, përfshirë Sali Berishën, Rexhep Mejdanin, Alfred Moisun dhe Bamir Topin, përfitojnë banesë, roje personale, staf mbështetës, ambiente zyre, tituj të përjetshëm etj.

Nga ligji do të përftojnë edhe familjarët e presidentit dhe ish-presidentëve.

Konkretisht, projektligji parashikon që, personi i cili ka shërbyer si President i Republikës do të mbajë titullin e Presidentit të Republikës përjetë, përveç raste kur gjykata vendos heqjen e titullit. Po ashtu, Presidentit i cili ka përfunduar mandatin e tij, i sigurohet një sipërfaqe për banim, pa pagesë.

Ligji i ri parashikon gjithashtu që Presidentëve u sigurohet mbrojtje personale nga Departamenti i Personaliteteve, në varësi të Ministrisë përgjegjëse për rendin publik.

Presidenti dhe familjarët me këto ndryshime ruajnë privilegjet dhe pasaportat diplomatike edhe pas mbarimit të mandatit.

Presidenti i Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati, ka të drejtë për shpenzimet materiale për nevojat e realizimit të aktiviteteve të tij që sigurohen nga buxheti i shtetit, në përputhje me procedurën e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat