Pas lirimit të Lul Berishës, Drejtoria e Burgjeve ndryshon rregullore: Fund nepotizmi në staf

Shqipëria

Pas lirimit të Lul Berishës, Drejtoria e Burgjeve ndryshon rregullore: Fund nepotizmi në staf

Më: 22 dhjetor 2016 Në ora: 14:25
Lulzim Berisha

Një ditë pas shpalljes në kërkim të juristit të burgut të Durrësit, Tedi Labi që rezultoi të ishte djali i ish-nëndrejtorit të Burgjeve Iljaz Labi i arrestuar për shpërdorim detyre, Drejtoria e Përgjithshme ka nxjerrë një urdhër me të cilin kërkon informacion nga të gjitha burgjet në Shqipëri për lidhjet nepotike (familjare) mes punonjësve të burgjeve.

Po kështu kërkohet informacion edhe për lidhjet e mundshme mes një të dënuari ose të paraburgosuri me personelin e institucionit. Informacioni duhet të jepet nga Institucionet e Vuajtjes së Dënimit brenda 48 orësh. Urdhri që mban firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Mikolvan Kopani është i bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave për “shmangien e nepotizmit në administratën publike brenda një institucioni publik”.

URDHRI

Mbi përcjelljen e të dhënave për lidhjet nepotike të stafit

Gjithë IEVP Këtu Urdhëroj

1. Gjithë Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të raportojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për lidhjet familjare, lidhjet gjinie apo lidhje krushqie që kanë punonjësit në sistemin e burgjeve sipas kategorive të mëposhtme, në zbatim të VKM Nr.44, datë 27.1.2006 “për shmangien e nepotizmit në administratën publike brenda një institucioni publik”, për pikët e mëposhtme:

a) lidhje familjare: bashkëshort/bashkëjetues, bir, bijë dhe fëmijët e tyre’

b) lidhje gjinie: prindër, motër e vëlla dhe fëmijët e tyre;

c) lidhje krushqie: prind, fëmijë, vëlla/motër i/e bashkëshortit/es, si dhe bashkëshort/bashkëjetuesi i fëmijëve;

2. Në zbatim të Rregullore së Përgjithshme të Burgjeve neni 14, të raportohet në lidhje me lidhjet punonjës/burgosur, në rastet kur i dënuari ose i paraburgosuri ka lidhje gjinie a krushqie me personelin e institucionit.

3. Informacioni të përcillet brenda 48 orëve nga njoftimi i këtij urdhri;

4. Ngarkohen për zbatimin e urdhrit Drejtuesit e Institucioneve të Ekzekutimeve Penale;

5. Moszbatimi i këtij urdhri brenda afatit ngarkon me përgjegjësi administrative dhe penale drejtoria e burgjeve

Lirimi i ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, solli mbrëmjen e djeshme arrestimin e drejtorit të Burgut të Durrësit Astrit Kote pas urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Prokuroria e këtij rrethi. Ndërkaq është shpallur në kërkim juristi i këtij institucioni, Tedi Labi. Të dy akuzohen për falsifikim dokumentesh në lirimin e Lulzim Berishës.

Juristi i Burgut të Durrësit, Tedi Labi, 24 vjeç është i biri i Iljaz Labit, ish­nëndrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, i arrestuar për korrupsion në tendera.

Iliaz Labi u arrestua në korrik nën akuzën e korrupsionit pasiv. Nga hetimi, ka rezultuar se 4 administratoret që ofronin shërbimin e ushqimit ne burgjet shqiptare, takoheshin me njeri-tjetrin për te përpiluar dokumentet dhe me pas te dilnin fitues. Që kjo të realizohej, ata kishin rënë dakord qe për çdo tender, të paguanin 2 milionë lekë tek numri 2 i burgjeve Iliaz Labi.

Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, rezulton se Drejtori i burgut të Durrësit dhe juristi i këtij institucioni, Tedi Labi kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit të burgim të të dënuarit Lulëzim Berisha.

Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se të dënuarit Lulëzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat