Jepet urdhri: S'ka leje, asnjë i dënuar pranë familjeve për Vit të Ri!

Shqipëria

Jepet urdhri: S'ka leje, asnjë i dënuar pranë familjeve për Vit të Ri!

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 13:57
Ilustrim

Asnjë i burgosur nuk do të mund të marrë leje që të kalojë Festat e Fundvitit pranë gjirit të tyre familjar.

Është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e cila ka pezulluar lejet shpërblyese dhe të veçanta për të gjithë të dënuarit, duke u hequr mundësinë një numri të konsiderueshëm personash të privuar nga liria, që të shijojnë festat e fundvitit në familjet e tyre.

Urdhri që mban firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Miklovan Kopani është i datës 20 dhjetor dhe efektet e tij do të zgjasin për një periudhë të pacaktuar, deri në një urdhër të dytë.

Numri një i dikasterit qendror të Burgjeve, paralajmëron vartësit se nëse shkelin urdhrin do të mbajnë përgjegjësi administrative.

“Lejet e planifikuara për periudhën e fundvitit për të dënuarit, të planifikohen për vitin 2017. Lista e planifikimit me dokumentacionin përkatës për secilin të dënuar të përcillet në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Bordi i lejeve shpërblyese në të gjithë IEVP të informojë personat me liri të kufizuar të cilëve iu është miratuar leja mbi ndryshimin e periudhës së kësaj leje”, thuhet në urdhrin e lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat