Nis falja e kamatave, OSHEE: Ja lista me 126 mijë përfitues

Shqipëria

Nis falja e kamatave, OSHEE: Ja lista me 126 mijë përfitues

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 15:09
OSHEE

OSHEE-ja publikoi dje në faqen e saj zyrtare listën e plotë me 126.000 përfitues të faljes të kamatëvonesës, pasi kanë shlyer borxhin e energjisë me këste, sipas aktmarrëveshjes të lidhur me OSHEE-në.

Lista është publike në uebin “www.oshee.al”. Lista zyrtare e publikuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë përmban kodin e klientit përfitues, zonën ku banon (pa emër mbiemër) për 9 qytete.

Aty ka një opsion për të kërkuar nëse je apo jo përfitues, duke shkruar numrin e kontratës. Gazeta boton tabelën me numrin e përfituesve të shpërndarë në 9 qytete dhe dokumentacioni që i nevojitet përfituesit. Sipas OSHEE-së, nga falja e kamatëvonesave të dritave përfitojnë 66.539 pensionistë, invalidë dhe ndihmë ekonomike që kanë aktmarrëveshje, me të cilat paguajnë sot shlyerjen e borxhit me këste 1000 ose 1200 lekë/muaj. Kategoria tjetër përfituese janë 59.461 konsumatorë familjarë, që kanë paguar rregullisht këstet prej 2.500 dhe 2.800 lekësh/muaj. Lista e përfituesve është vënë në dispozicion nga OSHEE-ja për çdo qendër ndaj kujdesit të klientit.

Çdo pensionist, invalid apo familje me ndihmë ekonomike, që identifikojnë numrin e kontratës së energjisë në listat e publikuara nga OSHEE-ja, do të duhet të paraqitet në sportelet e OSHEE-së me librezën përkatëse. Ai do të paguajë shumën simbolike prej 20 lekësh dhe stafi i OSHEE-së do të amendojë aktmarrëveshjen, duke i bërë zerimin e plotë të vlerës së kamatës. Abonenti do të vazhdojë të shlyejë detyrimin që mbetet pas zerimit të kamatës. Procedura e faljes së kamatave është shumë e thjeshtë, ndërsa dokumentacioni për të gjitha kategoritë është i njëjtë.

Image

Dokumentet për pensionistët, invalidët e familjet në nevojë

Dokumentacioni që duhet të ketë çdo pensionist, persona me status të veçantë invaliditeti, familjet e ndihmës ekonomike është karta e identitetit, nëse është personalisht në sportel, ose autorizim me shkrim nga mbajtësi i kontratës, si dhe kartën e identitetit të klientit dhe të personit që do të paraqitet për pagesë, raporton "Panorama".

Efekti financiar i faljes së kamatëvonesave llogaritet 155 milionë dollarë, ndërsa në total gjatë këtyre dy viteve që OSHEE-ja ka nisur aplikimin e skemave lehtësuese efekti financiar nga zerimi i kamatave llogaritet në vlerën e 200 milionë dollarëve. Skemat lehtësuese do të vijojnë të jenë hapura deri në qershor të 2017-s. Në fund të 6 muajve, ata do të përfitojnë faljen e kamatave kundrejt vlerës simbolike prej 20 lekësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat