Vdekja e gruas së Alban Hoxhës, babai: I dënuan mjekët sa për një gërvishtje makine

Shqipëria

Vdekja e gruas së Alban Hoxhës, babai: I dënuan mjekët sa për një gërvishtje makine

Më: 24 dhjetor 2016 Në ora: 22:01
Doriana Haka dhe Alban Hoxha

Babai dhe vëllai i Doriana Hakës, 25-vjeçares që humbi jetën pas lindjes së fëmijës së saj, kanë akuzuar Gjykatën pas vendimit ndaj mjekëve, të cilët u gjobitën me 400 mijë lekë për mjekim të pakujdesshëm.

Teksa e cilësojnë fyes dhe qesharak vendimin ndaj mjekëve, ata thotë se jeta e vajzës së tyre u barazua me një gërvishtje makine. Doriana Haka ishte bashkëshortja e portierit të Partizanit, Alban Hoxha.

Duke folur në emisionin “Kjo javë”, babai i Dorianës, Enveri theksoi se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për vajzën e tij.

“Ne si familje këtë vendim e përjetuam sikur më vranë prapë vajzën. U befasova nga ai vendim, është skandaloz. Nuk e di ku e gjeti guximin, që dha dënimin me 400 mijë lekë, e krahasoi vajzën time me një lopë a një gërvishtje makine. Një gjyqtar i korruptuar. Mua fëmijë 25 vjeç më ka hyrë në dhe për shkak të gabimit të mjekëve”, u shpreh Enveri mes lotësh.

Vëllai i Dorianës, shton se ky gabim i mjekëve që i mori jetën motrës së tij, u trajtua sikur të ishte një gabim i thjeshtë administrativ.

“Vendimin do ta cilësoja tallës dhe fyes për familjen tonë. U dha një vendin sikur të ishte një gabim administrativ, dhe jo një gabim që i mori jetën një njeriu”, tha ai.

Për babain dhimbja është akoma edhe më e madhe, kur shton se ndërsa vajza e tij “është futur në dhe”, mjekët vazhdojnë akoma punën në spital.

“Kjo anestezistja vrasësja e ka marrë me dhunë vajzën e ka futur aty. E ka futur si bagëti aty. Plus kësaj, kjo mjeke duke shitur mend edhe kësaj dite në spital. Ma vdiq fëmijën, edhe shet mend në spital”, tha babai i Dorianës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat