Rrëfehen të moshuarit: Si i kalojmë ditët dhe çfarë presim nga shteti

Shqipëria

Rrëfehen të moshuarit: Si i kalojmë ditët dhe çfarë presim nga shteti

Më: 26 dhjetor 2016 Në ora: 22:26
Ilustrim

Në rrëfimet e tyre, pensionistët treguan arsyet pse kanë ardhur këtu, kanë folur për kushtet, po ashtu kanë gjetur rastin të falënderojnë qeverinë për shpërblimin e fundvitit por edhe rritjen e pensionit me 3%.

MENTORI

Mentori është njëri prej të moshuarve që jeton në këtë shtëpi që prej vitit 2001, ndërsa në vite thotë se gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar.

“Kam qëndruar në Gjirokastër 5 vjet, pastaj kam ardhur këtu pasi nuk kisha familje. Ka pasur ndryshime, çdo vit është bërë edhe më mirë. Ka rregull, pastërti, kushte më të mira, gatimi, personeli”,- thotë ai.

I moshuari shton se i kalon ditët mes lojës me domino e shëtitjeve në ajër të pastër, por kërkon më shumë aktivitete të tjera jashtë shtëpisë së të moshuarve.

“Dalim por jo shumë shpesh, do donim më shumë aktivitete”,- thotë Mentori.

GANIU

Ndërsa Ganiu një i moshuar tjetër nuk nguron të tregojë dhomën ku jeton dhe të shprehë gëzimin që ka për shpërblimin e fundvitit dhe rritjen e rrogës. Por përveç këtyre, ai thotë se dashuria njerëzore është më e rëndësishmja për ta.

“Kam ardhur këtu në 2006. Më vdiq një djalë inxhinier elektrik, më vdiq gruaja dhe më pas vajza. Shita shtëpinë dhe paratë i futa në firmat piramidale. Nuk e pandeha se si do përfundoja kështu”,- kujton Ganiu.

Por duke lënë pas të shkuarën, i moshuari jeton me gëzimet e momentet dhe thotë “Çdo njeri që vjen këtu e presim me zemër të hapur. Ky vit më duket më i mirë, njerëzit sikur janë gëzuar. Edhe ai kryeministri që na dha këto shpërblimet e shikojmë me vëmendje të madhe, rëndësi ka që na e dhanë. Duam dashurinë e njerëzve më shumë se çdo gjë”,- shton ai.

MAKBULJA

Në Bibliotekën e shtëpisë së të moshuarve ndodhet një zonjë e pasionuar pas librave. Makbulja tregon si nis e mbaron dita e saj, ndërsa dëshirën më të madhe ka të udhëtojë njëherë jashtë shtetit.

“Më duket sikur koha më kalon shumë shpejt dhe s’do arrij t’i lexoj të gjithë këta libra. Duam më shumë libra të tjerë, botime më të reja”,- thotë ajo.

Kërkesa tjetër e saj janë udhëtimet: “Kemi shkuar në shumë vende, por do donim shumë të shëtisnim edhe diku tjetër. Nuk më është dhënë mundësia të shkoj ndonjëherë jashtë shtetit, por nëse s’ka mundësi, të na çojnë brenda Shqipërisë në Shkodër”.

RIZAI

Rizai është një tjetër pensionist në shtëpinë e pleqve. Ai ecën me ndihmën e një bastuni dhe tregon për gazetaren Ola Mitre në emisionin “Njerëz në fokus” se ka 16 vjet në këtë institucion. Ka vetëm një thirrje t’i rikthehet pagesa për shoqëruesin.

“Kam 16 vite këtu. Kam ardhur këtu sepse më vdiq babai dhe nëna nuk më shërbente dot. Nuk doja t’i bija njeriu në qafë. Që kur mora këtë fatkeqësi në ushtri. Unë jam plagosur më 25 qershor 1963, jam invalid po një pension që e kisha për shoqërim ma hoqën sepse jam në institucion shtetëror. Edhe për një kafe nuk dal dot vetëm”, rrëfen ai.

Ministri Klosi i ka dëgjuar shqetësimet e të moshuarve dhe iu ka dhënë të drejtë për disa shqetësime.
“Çdo gjë është e drejtë. Unë kam qenë në atë shtëpi 6-7 herë brenda këtij viti. Kemi pasur disa aktivitete”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat