"Para dhe Pasuri" - OSHEE garanton: Energji pa ndërprerje natën e Vitit të Ri

Shqipëria

"Para dhe Pasuri" - OSHEE garanton: Energji pa ndërprerje natën e Vitit të Ri

Më: 28 dhjetor 2016 Në ora: 16:34
ilustrim

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike garanton furnizim të pandërprerë me energji në ditët e ndërrimit të viteve.

Elton Sevrani, drejtori i Divizionit të Tregtimit në OSHEE ka deklaruar në rubrikën ekonomike “Para e pasuri” të gazetares Aurora Sulçe, se janë ngritur grupet e gatshme në të gjithë vendin për riparimin e defekteve të mundshme që mund të ndodhin. Ndërkohë që ditët e fundit, OSHEE po bën edhe testime në furnizimin me energji të qytetarëve dhe kombinimin e linjave në rast defektesh, çka ka shkakuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.

“Lidhur me ndërprerjet e energjisë ditët e fundit, ne po bëjmë testime për kombimin e linjave në mënyrë të tillë që të jenë ato në gadishmëri të plotë për përballimin e ngarkesës në fundvit. OSHEE ka marrë të gjitha masat, jo vetëm për ditët e ndërrimit të viteve, por gjatë gjithë kësaj periudhe me mot të ftohtë për të përballuar ngarkesën dhe siguruar furnizimin me energji elektrike. Për Natën e Vitit të Ri janë marrë të gjitha masat për të garantuar energji pa ndërprerje, është siguruar energjia nga importi, si dhe janë ngritur grupe me specialistë në të gjithë vendin, të gatshëm për të ndërhyrë në riparimin e defekteve, që mund të njoftohen edhe nga qytetarët nëpërmjet numrave të telefonit të vënë në dispozicion”, shprehet Sevrani.

Përsa i përket faljes së kamatvonesave të energjisë për pensionistët dhe të varfërit, ai ka shpjeguar se kjo u bë e mundur nga ndërgjegjësimi i qytetarëve për të paguar energjinë elektrike dhe përmirësimit të situatës financiare të kompanisë. Sevrani shpjegon se OSHEE rezulton tashmë me fitim dhe se treguesit janë përmirësuar ndjeshëm.

“Niveli i humbjeve ka rënë, nga investimet në rrjet dhe reduktimi i vjedhjeve të energjisë. Arkëtimet janë rritur, kryesisht nga bizneset dhe qytetarët, ndërsa problem me pagesat e energjisë janë institucionet jobuxhetore, si ujësjellësat”, shprehet Sevrani.

Ai deklaron se OSHEE do të vijojë punën për mbledhjen e faturave të energjisë, si dhe në ndalimin e abuzimeve, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat