Blushi bën bilancin e 2016: Shqiptarët më të varfër dhe të pashpresë

Shqipëria

Blushi bën bilancin e 2016: Shqiptarët më të varfër dhe të pashpresë

Nga: BOTA SOT Më: 2 janar 2017 Në ora: 16:26
Deputeti dhe kreu i LIBRA-s Ben Blushi

Deputeti dhe kreu i LIBRA-s Ben Blushi e ka cilësuar vitin 2016 si të zymtë dhe me fatkeqësi të mëdha në botë, por edhe në Shqipëri.

Përmes një postimi në Facebook, Blushi ka thënë se shqiptarët janë akoma më të varfër dhe më të pasigurt.

Deputeti ndër të tjerash ka folur edhe për perspektivën e partisë më të re që ai drejton, për të cilën thotë se 2017 do të jetë viti i LIBRA-s, përcjell Bota sot.

Postimi i plotë i Blushit:

2017 VITI LIBRA

Të dashur miq,

Dua t’ju uroj një vit të mbarë dhe sa më shumë paqe, harmoni dhe mirëqenie për gjithë familjen e madhe LIBRA.
Ne, LIBRA-t kemi dy llogari me vitin që u mbyll dhe unë dua të ndaj me ju atë që mendoj për 2016.

Ky vit ishte edhe më i zymtë, më i vështirë dhe shumë më pesimist për Botën, por edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi.

Gjatë 2016, konfliktet në Botë nuk u zbutën, viktimat nuk u pakësuan dhe terrorizmi nuk u ndal. Fëmijë, burra dhe gra të pafajshëm u masakruan nga krimi, nga etja për pushtet, por edhe nga varfëria dhe mjerimi që është sëmundja e pashpirt e shekullit tonë.

Shqipëria nuk bëri përjashtim nga pjesa tjetër e Botës.

Shqiptarët e mbyllën vitin 2016 edhe më të varfër, edhe më të pashpresë edhe më të pasigurt. Ata e dinë nga se kërcënohen, por nuk kanë ende mundësi të mbrohen. Shqiptarët e dinë nga se vuajnë, por nuk kanë mundësi të shërohen. Shqiptarët e dinë nga se sulmohen, por nuk kanë mundësi ta ndalin.

Varfëria dhe Pabarazia mbeten armiqtë që duhet të mposhtim gjatë vitit të ardhshëm dhe bashkë me to edhe mendimin se Shqipëria nuk bëhet.

Ne LIBRA-t besojmë se Shqipëria bëhet dhe do të bëhet.
LIBRA lindi nga kjo shpresë më 1 nëntor të vitit 2016, si një instrument i shoqërisë shqiptare në betejën e saj të gjatë me mjerimin, polarizimin, korrupsionin dhe pesimizmin.

Prej dy muajsh LIBRA jeton.

LIBRA nuk është me një ëndërr, por një gjendje. LIBRA nuk është një parti, por një bashkim. LIBRA nuk është një numër, por një shumicë. LIBRA nuk është një bindje, por një besim. LIBRA nuk është një aksion, por një lëvizje. LIBRA nuk është një frymë, por një frymëmarrje. LIBRA nuk është një frymëzim, por një pastrim. LIBRA nuk është një mendim, por një ide. LIBRA është një ide e pandërprerë për dije, për liri dhe barazi sociale. LIBRA ka lindur dhe do të jetojë në funksion të këtij qëllimi.

Dija është hapësira e saj, Liria është hapi i saj, dhe Ekuilibri është koha e saj.

Në ndjekje të Dijes, Lirisë dhe Drejtësisë LIBRA ekziston, merr frymë, vepron, mendon, ecën, vrapon, guxon dhe fiton.

LIBRA është pasuria jonë e përbashkët dhe e tillë do të mbetet.

Për shkak të LIBRA-s ne sot jemi më të pasur, jemi më optimistë dhe Shqipëria ka në dorë një mundësi që në të shkuarën nuk e ka pasur.

Jam i bindur se Viti 2017 do të jetë viti LIBRA.

Ju uroj të gjithëve një vit të mbarë me bindjen se do ta ktheni LIBRA-n në mënyrë jetese!

Miqësisht /BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat