Gjermania, rreth 51.000 euro në mbështetje të aktiviteteve për shkëmbimin dhe dialogun Shqipëri-Serbi

Shqipëria

Gjermania, rreth 51.000 euro në mbështetje të aktiviteteve për shkëmbimin dhe dialogun Shqipëri-Serbi

Më: 12 janar 2017 Në ora: 16:35
Pamje nga takimi

 Gjermania do të mbështesë edhe për vitin 2017 me rreth 51.000 euro, projektin e dy organizatave joqeveritare në Shqipëri dhe Serbi, përmes të cilit synohet të nxitet dialogu dhe shkëmbimi mes dy vendeve.

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare („Albanian Institute for International Studies“ AIIS) dhe Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Lëvizjes Evropiane në Serbi („Forum for International Relations of the European Movement Serbia“ EMinS) kanë nisur që vitin e shkuar të organizojnë në mënyrë të përbashkët dhe me mbështetjen gjermane aktivitete, që synojnë të përmirësojnë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve kandidate për anëtarësim në BE, Shqipërisë dhe Serbisë.

Ambasadorja Susanne Schütz gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Drejtorin e AIIS Albert Rakipi më 12 janar 2017 në Ambasadën Gjermane përshëndeti faktin se “dy partnerët e këtij projekti po çimentojnë bashkëpunimin e tyre për shkëmbim dhe dialog. Është mirë, që në kuadër të këtij projekti krahas dialogut politik të konsoliduar mes përfaqësuesve shtetërore në Shqipëri dhe Serbi të takohen edhe përfaqësues të shoqërisë civile, ekonomisë dhe kulturës nga të dy vendet duke përforcuar kësisoj më tej marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.“

Projekti parashikon këto aktivitete: – Diskutime me të rinj, përfaqësues të ekonomisë, kulturës dhe shkencës; – Organizimin e „Tirana Forum“, i cili mendohet t’i shërbejë përforcimit të marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Serbi dhe të përfshijë përfaqësues të dhomës së tregtisë shqiptare-serbe të krijuar së fundmi; – Krijimin e një „European Academy of Youth“ me të rinj shqiptarë dhe serbë; – Dhënie bursash për hulumtime shkencore shkencëtarëve serbë dhe shqiptarë përkatësisht në Shqipëri dhe Serbi.

Financimi i siguruar prej palës gjermane prej rreth 51.000 eurosh mundësohet nga fonde të veçanta të Qeverisë Federale Gjermane të vëna në dispozicion për garantimin e paqes në Evropën Juglindore në kuadër të paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.

Përmes këtij bashkëpunimi të thelluar mes organizatave joqeveritare shqiptare dhe serbe synohet të mbështetet më tej procesi i përafrimit dhe pajtimit me Shqipërisë dhe Serbisë.

Programet e shkëmbimit mes të rinjve dhe krijimi i mundësive të mëtejshme të bashkëpunimit janë në dobi jo vetëm të Shqipërisë dhe Serbisë, por i shërbejnë në tërësi stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se ndihmojnë në eleminimin e paragjykimeve.

Organizata joqeveritare “Albanian Institute for International Studies“ (AIIS) e themeluar në Tiranë në vitin 2003 angazhohet në përafrimin e Shqipërisë me strukturat euro-atlantike. Organizata partnere në këtë bashkëpunim „Forum for International Relations of the European Movement Serbia“ (EMinS), e themeluar në vitin 1992 në Beograd, e vendos fokusin e saj në projekte për mbështetjen e integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat