“U dënova padrejtësisht me 12 vjet burg”, letra e qytetarit për Nishanin e Manjanin

Shqipëria

“U dënova padrejtësisht me 12 vjet burg”, letra e qytetarit për Nishanin e Manjanin

Më: 16 janar 2017 Në ora: 22:02
Ilustrim

Një qytetar nga fshati Adë i Njësisë Administrative Frakull, në Fier, i ka dërguar një letër presidentit Nishani, KLD-së dhe ministrit Manjani, pasi pretendon se po vuan një dënim të padrejtë.

Shtetasi Artur Velo thekson në letër se po vuan një dënim 12 vjet burg për një vepër penale të cilën nuk e ka kryer kurrë. Vepra penale për të cilën ai është dënuar është “Trafikim të Lëndëve narkotike, Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Letra e plotë:

Letër e hapur

Drejtuar

Presidentit të Republikës Bujar Nishani

Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani

Unë që po ju shkruaj quhem Artur Velo nga fshati Adë i Njësisë Administrative Frakull, Bashkia Fier. Aktualisht po vuaj një dënim tërësisht të padrejtë, të dhënë po padrejtësisht nga ana e gjyqësorit shqiptar. Dënimi është 12 vjet burg, për një vepër penale që kurrë nuk e kam kryer;” Trafikim të Lëndëve narkotike, Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të parashikuara këto nga nenet 283/a2,22.236/2 dhe 278/5 I Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Gjithçka e ka zanafillën në datën 07.09.2014. Kam qënë duke u kthyer nga Greqia për në Shqipëri,në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë. Rreth orës 22 30,jam përballur me punonjës të policisë në këtë pikë, të cilët më kanë bllokuar aty me pretendime të ndryshme .. Pas këtij momenti e kam parë veten të prangosur së bashku me dy shokë të tjerë, bashkëfshatarë të mi. Gjatë gjithë kohës atë natë, jam ndeshur me dhunën e disa uniformave të policisë , të cilët kërkonin prej meje të pohoja që kisha kaluar kufirin me ngarkesë më drogë, kisha qëlluar me armë automatike drejt policisë. Shkurt të pranoja krim që kurrë nuk e kam kryer. Nuk e pranova akuzën dhe asnjëherë nuk do të pranoj një vepër penale që nuk e kam kaluar as nëpër mendtë e mia.

Por organi i akuzës, prokuroria duke mos analizuar asnjë provë, në mënyrë tërësisht të padrejtë I është referuar rastit tim me thënie të pakonfirmuara, duke e drejtuar gjatë gjithë kohës procesin ndaj meje në një orientim kaotik. Organi I akuzës siç e ka cilësuar edhe mbrojtja e ime, Avokat Safet Haxhiaj, ka bërë përherë përpjekje të sforcuara sipas parimit të bëjë patjetër fajtor dikë, apo disa njërëz, se dikush, qoftë ky edhe një polic, I është dukur, apo ka dëgjuar disa krisma. Thjesht dëgjuan krisma dhe organi i akuzës krijon dhe thur të paqena, pa e ditur ku e kanë fillimin dhe pa u orientuar se ku është e vërteta.

Një polic i dalë dëshmitar i quajtur Siri Kacabuni, ka deklaruar vetëm të pavërteta dhe të pabesueshme. Ndërsa prokurori I kësaj çështjeje është përpjekur të argumentoj fajësinë time nëpërmjet një akt ekspertimi të kryer nga eksperti kriminalistik Nikolin Duraj. Sipas këtij eksperti në dorën tim të djathtë janë konstatuar gjurmë nitritesh e nitratesh, të cilat janë mbetje baruti!!

Avokati im, në një nga seancat gjyqësore ka kërkuar praninë e këtij eksperti në cilësinë e dëshmitarit. Në përgjigjet e tij, në seancën gjyqësore të datës 29.9.2015, ai deklaroi se këto mbetje, faktorë e lëndë kimike të karbonizuara, nuk përjashtohet të jenë edhe nga fenomene e procese të tjera të karakterit mekanik, termik kimik dhe fizik.

Por përse gjendeshin ato mbetje në dorën time të djathtë?

Dy ditë përpara se unë të “kapesha” nga ana e forcave të policisë në Pikën Kufitare të Kakavijës, punova ne fshatin tim, te bashkëfshatari Ajet Troka. Ky person është pyetur si dëshmitar në seancën gjyqësore të datës 13.11.20015 dhe ka deklaruar se unë dhe vëllai im më I vogël kemi punuar për shtatë ditë në shtator të vitit 2014,në shtëpinë e tij për shtrim pllakash,prerje kangjellash për shkallë etj. Normale, kur priten kangjella, ato janë prej metali Krijohen edhe mbetje karbonike të imta, Unë kam punuar pa mjete mbrojtëse në duar. Dhe kjo shpjegon më së miri se çfarë janë ato mbetje nitriti dhe nitratesh. Nuk janë dhe nuk mund të cilësohen si mbetje baruti…!

Prokurori nga ana tjetër është përpjekur të injoroj këtë fakt Kjo është një provë e pakundërshtueshme që hedh poshtë çdo aludim që unë kam qëlluar me armë zjarri.!

Por prokurorit nuk i ka bërë përshtypje kjo deklaratë e thënë prej specialistit. Ashtu sikurse e ka kaluar fare thjeshte një fakt tjetër mjaft kuptimplotë që është një fakti i qartë për pastërtinë time.. Dëshmitari Sokrat Muho, një prej policëve, në seancën gjyqësore të datës 02.07.2015, nuk mbante mend datën fikse se kur kishte ndodhur ngjarja?! Përgjegjësi i tyre ka deklaruar vetëm se pamë dy apo tre shtetas të armatosur..?!

Kam fakte të tjera, që vërtetojnë se si I ka administruar provat organi i akuzës dhe cilat janë standardet e vërteta të vlerësimit të provave nga ana e gjyqësorit shqiptar.

Nëse deri tani unë paskërkam qëlluar me armë, por me armë tjetër kush ka qëlluar? Në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja, të cilat janë qitur nga dy armë të ndryshme. Por është thënë që qitja është bërë me breshëri.. Atëherë.. unë me të dyja duart kam qëlluar si një Rambo, me breshëri dhe të dy armët e përdorura prej meje, automatik, kanë lënë në vendin e ngjarjes vetëm tre gëzhoja?!

Kjo është qesharake dhe shumë e pabesueshme si histori. Polici Siri Kacabuni ka deklaruar se janë goditur me breshëri automatiku nga tre persona…! Sajesë dhe pavemendje e plotë e organit të akuzës…! Sajesë dhe papërgjegjshëmri në dhënie vendimi ndaj meje, prej gjyqësorit..!

Gjithçka që ka deklaruar organi I akuzës është hedhur poshtë dhe mbrojtur me fakte dhe jo me fantazi, nga pala mbrojtëse në seancat gjyqësore. Por ajo që të çudit është qëndrimi I organit të akuzës Pa asnjë material të mbështetur në fakte, prokurori I kësaj çështjeje, në mënyrë të paparecedentë, është mmbeshtetur vetëm në fantazi, hamendje dhe këto fantazi të krijuara nëpër mendje I ka sajuar dhe krijuar sikur të jenë të vërteta. Hetimet paraprake ndaj meje të nderuar përfaqsuesit më të lartë të shtetit, janë kryer jo vetëm jo profesinalisht, por tërësisht neglizhuese dhe jo serioze.

Përse prokuroria nuk ka sekuestruar kamerat vezhguese të Pikës së kalimit Kufitar Kakavijë për ditën dhe natën që ka ndodhur gnjarja për të cilën unë po vuaj një dënim tërësisht të padrejtë?

Çfarë e ka penguar prokurorinë të kryej një akt të tillë? Përse prokuroria nuk ka hetuar që pikërisht atë natë, kur unë akuzohem dhe jam dënuar me 12 vjet burg , kamerat termike paskërkan qënë me defekt dhe çuditërisht në çastin kur ka ndodhur ngjarja? Por ndërsa organi I akuzës ka pretenduar se janë gjetur bidona në vendin e ngjarjes, përse nuk janë kryer analizat daktiloskopike?

Përse prokuroria nuk kreu në hetimet e veta paraprake, kur këto hetime I stërzgjati me mjaft arsye të paqëna, përse pra nuk mori gjurmë trasologjike, gjurmë pra të lëna nga këpucët e mia, apo shokëve të mi në vendin e ngjarjes?

Përse prokuroria nuk mori gjurmët e pretenduara të plumbave në asfalt? Vetëm me pohime të një polici shërbimi të quajtur Siri Kacabuni, unë duhet të arrestohem dhe dënohem kaq rëndë? Unë për të mbajtur familjen gjallë . në varfëri ekstreme jam përpjekur të siguroj të ardhura duke emigruar ilegalisht. Këtë po e kam bërë.!

Por si mund të dënohem unë nga thëniet e papërgjegjshëm të këtij polici, I cili njëherë deklaron se kam parë tre vetë, një herë tjetër dy persona, se paskërkam qënë 70 metra larg, një herë tjetër 200 metra larg dhe herën tjetër 2 km larg.?!

Po ky polici vazhdon të kundërshtoj edhe veten e tij duke deklaruar se unë kam qënë me çantë shkolle, herën tjetër isha me trasta e ku di unë?!

Si mundet prokuroria të besoj deklarata të tilla që edhe vetë ata që I thonë nuk I besojnë?

Njëherë thonë se kanë parë imazhe.. Një herë tjetër na kanë parë më sy të lirë..! A ka logjikë, njerëzore duhet të them të deklarosh se tre njerëz kanë qenë të ngarkuar me thasë me më shumë se një kuintal që u quajka narkotike dhe pavarësisht kësaj peshe të mbaj në duar edhe armë automatike, dy armë e të qëlloj njëkohësisht me ato?! Kjo është fantazi..Unë jam dënuar sepse kanë fantazuar policët që përmenda, ka fantazuar prokuroria dhe në gjumë të plotë ka vendosur gjyqësori..! Po si ka mundësi që ne, tre personat, që po kryenim një veprimtari kaq të rrezikshme, të jemi aq shumë të qetë sa jo vetëm të mos e prishim terezinë, por të qëndrojmë në këmbë dhe me armët përdhe.?!Kështu shprehet prokuroria në aktet e saj..?! Po ku janë armët kur policia paskërka gjetur trastat? Si nuk u gjetën ato armë kur prokuroria ka deklaruar se kanë vepruar menjëherë tre grupe policore për krehjen e zonës? Si arritëm ti fshehim armët kaq shpejt? Por paradoksi është se si arrita unë Artur Velo, që për dhjetë minuta të shkoja nga pika e Kalimit kufitar Kakavijë, ku isha në orën 22 30 minuta të datës 07.09.2014, në vendin e ngjarjes që është më shumë se 7 km nga kjo pikë, në orën 22 40 minuta të po asaj date??? Edhe një maratonist nuk e bënë kurrë me vrap këtë gjatësi për 10 minuta shtatë kilometra..!!

Të nderuar!

Kjo është drejtësia shqiptare që akuzon, gjykon dhe dënon njerëz të pafajshëm..! Këto prova dhe fakte që unë shkruajta flasin se nuk ka prova dhe fakte për veprat penale që unë jam akuzuar dhe dënuar. Kërkoj pafajshmërinë që e meritoj nga një drejtësi e pastër dhe e pakorruptuar.. Kam besim se kjo letër e hapur do të lexohet me vëmendjen e duhur pre Jush. Në pritje të pafajësisë time..

me respekt

Artur Velo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat