Meta uron Presidentin e ri të Parlamentit Evropian, Antonio Tajani dhe e fton në Tiranë

Shqipëria

Meta uron Presidentin e ri të Parlamentit Evropian, Antonio Tajani dhe e fton në Tiranë

Më: 18 janar 2017 Në ora: 14:53
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, uron Presidentin e ri të Parlamentit Evropian, z. Antonio Tajani. Në mesazhin e tij të urimit drejtuar z.Tajani shprehet se zgjedhja e tij në krye të Parlamentit Evropian do të kontribuojë në avancimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe rajonit tonë si dhe shprehu bindjen e plotë për forcimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian. Kryetari i Kuvendit z. Meta e ka ftuar njëkohësisht Presidentin e ri z. Tajani për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Teksti i plotë i letrës:

"I nderuar Shkëlqesi,

Me kënaqësi të veçantë mirëpritëm zgjedhjen Tuaj në postin e Presidentit të Parlamentit Evropian dhe me këtë rast më lejoni në emër të Kuvendit të Shqipërisë t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta për detyrën e re fisnike që ndërmerrni.

Shpreh bindjen e plotë se me eksperiencën e gjerë që gëzoni në institucione të rëndësishme të Bashkimit Evropian, do të kontribuoni në forcimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit të Ballkanit, si një nevojshmëri gjeo-politike evropiane, ndaj dëshiroj të rikonfirmoj vullnetin tonë të plotë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian.

Kam patur kënaqësinë të takohemi së bashku në të kaluarën dhe shpresoj të rishihemi së shpejti, ndaj përfitoj nga rasti t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Shqipëri ku do të kemi mundësi të diskutojmë nga afër rreth bashkëpunimit tonë në të ardhmen.

Duke shprehur dhe një herë urimet e mia më të mira për një veprimtari Tuajën plot përgjegjësi dhe suksese, lutem pranoni, i nderuar President, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.

Ilir Meta"

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat