Ndryshon ligji, pasuritë e deputetëve kontroll çdo dy vjet

Shqipëria

Ndryshon ligji, pasuritë e deputetëve kontroll çdo dy vjet

Më: 19 janar 2017 Në ora: 09:55
Kuvendi i Shqipërisë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive do të kryejë kontrolle më të shpeshta të pasurive të deputetëve dhe anëtarëve të institucioneve të reja, që do të krijohen nga zbatimi i Reformës në Drejtësi.

Deputetët e maxhorancës kanë depozituar në Kuvend amendamentin e projektligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.

Nisma në fjalë ka përfshirë deputetët në listën e zyrtarëve që do t’u bëhet kontroll i imtësimesh i pasurive çdo dy vite, ndërkohë që në ligjin aktual, 140 deputetëve pasuria u kontrollohet çdo tri vite.

“Deklarimet e pasurive të deputetëve, të jenë objekt i kontrolleve të plota dhe më të shpeshta”. Për zbatimin e këtij rekomandimi është gjykuar ndryshimi i nenit 25/I, pika 1/b, e ligjit, duke zvogëluar intervalin kohor të kryerjes së kontrollit të plotë, nga një herë në 3 vjet, në një herë në 2 vjet”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Në listën e zyrtarëve që do t’u ushtrohet kontroll do të jenë për herë të parë dhe “administratorët e shoqërive anonime, me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë”.

Kontrolli i pasurive për zyrtarët e lartë do të kryhet nga ILDKP, në një afat 6-mujor. Sipas projektligjit të ri, deklaratat e pasurive do të publikohen në faqen zyrtare të ILDKPsë, ndryshe nga ligji aktual në fuqi, që parashikon si mundësi të vetme kërkesën zyrtare nga mediat apo organizatat e ndryshme, të cilat kryejnë transparencë.

Po ashtu, inspektorëve të ILDKP-së u janë dhënë atribute të Policisë Gjyqësore, në mënyrë që shkresat që mbledhin gjatë hetimit administrativ të cilësohen si prova në procesin gjyqësor.

“Dhënia e komptencave të Policisë Gjyqësore inspektorëve të ILDKPKI-së ka për qëllim final që dokumentacioni i mbledhur në mënyrë zyrtare nga inspektorët gjatë kryerjes së hetimit administrativ, të ketë fuqi provuese edhe në një proces penal”, thekson relacioni.

KONTROLLI I ILDKP

Neni 14

Në nenin 25/1, pika 1, germa a) dhe b) ndryshohen si më poshtë:

a) çdo 2 vjet për Presidentin e Republikës, deputetët, Kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrin, zëvendësministrin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Prokurorin e Përgjithshëm dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokatin e Popullit, anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarin e organeve rregullatore ose të mbrojtjes së konkurrencës, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj;

b) çdo 3 vjet për prefektët, kryetarët e bashkive, dhe këshillit të qarkut, nëpunësin civil të nivelit të lartë drejtues të administratës publike, zyrtarët e nivelit të lartë drejtues të
administratës doganore dhe tatimore, gjyqtarët e Apelit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat