Shoqërohet në polici, mirëmbajtësi: Ashensori jashtë garancisë, nuk më paguante askush

Shqipëria

Shoqërohet në polici, mirëmbajtësi: Ashensori jashtë garancisë, nuk më paguante askush

Më: 22 janar 2017 Në ora: 11:31
Drilona Duriçi

Ashensori ku humbi jetën 31-vjeçarja, Drilona Duriçi, në zonën e Freskut në Tiranë, nuk mirëmbahej gjë që ka sjellë dhe ngjarjen tragjike. Policia e Tiranës ka vijuar hetimet duke marrë provat si dhe duke kërkuar fajtotët. Sipas informacioneve të policisë së kryeqytetit, janë verifikuar të gjitha dokumentacionet përkatëse të pallatit ku ndodhi ngjarja dhe firmës së ashensorit. Sipas të dhënave paraprake, banorët e pallatit nuk kishin zgjedhur një administrator, duke e lënë situatën në mëshirë të fatit. Paraditen e djeshme, në polici është shoqëruar personi, i cili kishte mbajtur më parë detyrën e mirëmbajtjes së ashensorin. Para oficerëve të policisë, ai është shprehur se garancia e ashensorit kishte kohë që kishte mbaruar dhe se, ai nuk kishte për detyrë të kontrollonte gjendjen teknike. “Garancia e firmës për mirëmbajtjen e ashensorit në atë pallat ka disa muaj që ka mbaruar. Unë nuk mund të shkoja, pasi nuk kisha një garanci. Pavarësisht se garancia kishte mbaruar, unë shkoja e mirëmbaja ashensorin kundrejt një pagese që banorët bënin për këtë shërbim. Prej muajsh ata nuk kanë paguar më dhe unë nuk kam shkuar që ta mirëmbaj.

Për atë që ndodhi ditën e premte në atë ashensor unë nuk di çfarë të them pasi kam shumë kohë që nuk kam shkuar për të parë gjendjen e ashensorit. Ne bëjmë kontrolle periodike vetëm në ashensorët të cilët janë brenda garancisë”, mësohet të ketë thënë ai në polici. Banorët: Jemi të rregullt me pagesat Lidhur me faktin e pagesave dhe detyrimeve ndaj shërbimeve që duhen kryer në pallat, banorët janë shprehur se kanë qenë të rregullt por nuk kanë marrë asnjë shërbim. Sipas tyre, lënia pas dore e mirëmbajtjes së ashensorit dhe linjave elektrike është bërë shkak për vdekjen e një nëne te re, e cila banonte në një apartament të marrë me qira në katin e katërt në pallatin ku ndodhi ngjarja. “Edhe pse ne jemi të rregullt me pagesat e faturave apo të ashensorit, nuk marrim asnjë shërbim. Nga mungesa e kontrollit të ashensorit ndodhi ajo që ndodhi, një fëmijë mbeti jetim. Të shohësh nëpër korridoret e pallatit ka kuti me fije elektrike të hapura, që një prekje e tyre të kushton jetën. I paguajmë sa herë duan dhe nuk marrim asnjë shërbim”, shpreheshin banorët. Teksa mësohet se dhe ndërtuesi i objektit ka vdekur disa vite më parë.

Por, ato çfarë kanë thënë banorët, janë hedhur poshtë nga mirëmbajtësi i ashensorit teksa është shoqëruar në polici. Ndërkaq, ditën e djeshme lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi paraditen e së premtes në zonën e “Freskut”, reagoi edhe Inspektoriati Shtetëror Teknik. Sipas tyre, nga verifikimet e kryera në vendin e ngjarjes, rezulton se zjarri ra fillimisht në gropën e ashensorit të katit të parë, për t’u ngjitur më pas deri lart përmes kabllove. Shkaku kryesor ishte mospastrimi i vajit dhe papastërtive në ashensor. Kabina e ashensorit, ishte me material të djegshëm, duke rrezikuar edhe jetët e banorëve të tjerë. Ashensori mësohet se ishte vendosur disa vite më parë në atë pallat dhe funksiononte me piston vaji. Po ashtu inspektorati deklaron se dhe kutia e vajit ishte vendosur në ashensor, gjë që nuk lejohet. Nga hetimet rezulton se si pasojë e shkëputjes së kabujve, ashensori ka rënë duke shkaktuar dhe më pas ngjarjene rëndë. 31-vjeçarja jetonte me qira në katin e katërt të apartamentit me djalin e mitur, ndërsa bashkëshorti i saj ishte emigrant në Gjermani.

Precedentët

Vitin e kaluar janë shënuar dy viktima në dy qytete të ndryshme, si pasojë e mospranisë së një ashensori në pallat. Në muajin shkurt të vitit të kaluar, në qytetin e Fierit një 58-vjeçar ka gjetur vdekjen pasi ka hyrë gabimisht tek ashensori. Si pasojë e rënies në gropën e ashensorit, 58-vjeçari kishte pësuar fraktura në trup dhe hemorragji. Ndërkaq, në muajin gusht të vitit të kaluar, një fëmijë 15 vjeç humbi jetën pasi është rrëzuar nga ashensori i jashtëm i fabrikës së këpucëve në Durrës. 15-vjeçari kishte shkuar për të pritur të ëmën dhe gjatë kësaj kohe po luante duke hipur e zbritur në ashensorin e jashtëm. Ndërsa në vitin 2013, një fëmijë ka humbur jetën, pasi u këputën kabujt e ashensorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat