Vrasja e trefishtë në Vlorë/ Autori nuk tregon shokët: Kam frikë se…

Shqipëria

Vrasja e trefishtë në Vlorë/ Autori nuk tregon shokët: Kam frikë se…

Më: 23 janar 2017 Në ora: 18:37
Delin Hajdaraj

Policia e Vlorës ka dhënë detaje të reja në lidhje me arrestimin e njërit prej personave më të kërkuar në vend, 26-vjeçarit Delin Hajdaraj.

Ai është marrë në pyetje disa herë me qëllim zbulimin e personave që e kanë ndihmuar gjatë këtyre viteve në arrati, të cilët pas identifikimit do të arrestohen. Sipas burimeve, i riu nuk ka pranuar të identifikojë asnjërin prej ndihmësve të tij.

Por, pas sekuestrimit të telefonit dhe hetimit që do t’i bëhen komunikimeve të tij në rrjetet sociale, pritet që bashkëpunëtorët e tij të mund të identifikohen. Deri në atë moment, policia i druhet faktit se ata do të mund të kenë kohë të mjaftueshme për t’u larguar jashtë vendit.

Për grupin e hetimit është e habitshme që asnjëri prej miqve dhe të afërme që ka qenë në dijeni të vendndodhjes së tij, nuk e ka tradhtuar për ta denoncuar. Ky veprim do t’i siguronte atij veç anonimitetit, edhe shpërblimin e publikuar nga policia prej 10 mijë dollarësh.

Por, pavarësisht kësaj, Hajdaraj ka mundur të jetojë në arrati për rreth katër vite dhe asnjëri prej bashkëpunëtorëve të tij nuk e telefonuan policinë. Që prej vrasjes së trefishtë, ku mbetën të vdekur tre plazhistët, Sokol Isufaj, Serdi Bajlozi dhe Diana Ademi, 26- vjeçari ka jetuar në qytetin e Vlorës.

Ai ndërronte herë pas here banesat, për të mos rënë gjatë në sy në të njëjtën lagje. Që prej muajit gusht të 2016- s, Hajdaraj kishte marrë me qira tri banesa, për të cilat ai ka deponuar se ia paguante i vëllai që jeton në Bruksel dhe e dashura spanjolle. Rezulton se i kërkuari, nuk ekspozohej vetë as nëpër dyqane. Këtë e konfirmojnë edhe pronarët e subjekteve përreth pallatit ku ka jetuar i riu.

Sipas tyre, pas arrestimit dhe ekspozimit të fotove të të arrestuarit në media, ata janë habitur për faktin se nuk e kishin parë asnjëherë të blinte tek ata. Edhe pronari i një lokali afër pallatit mohon që i kërkuari të jetë futur ndonjë herë për kafe. Konflikti në të cilin u përfshi 26-vjeçari ka nisur në të njëjtën ditë kur ndodhi edhe vrasja e trefishtë, më datë 28.07.2013.

Rreth orës 16:00, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, në plazhin e Kalasë, kanë qenë duke pushuar motrat e Leo Osmenit (arrestuar dhe dënuar me 35 vite burg për ngjarjen). Motrat Osmeni kanë njoftuar vëllain e tyre duke i kërkuar atij ndihmë, pasi po i ngacmonin 2-3 djem.

Leo Osmeni, me automjetin e tij tip “Fuoristradë”, me targë V 7863 WDE, ka shkuar drejt vendit ku ndodheshin motrat e tij dhe rrugës ka njoftuar për ndihmë edhe shokun e tij (kushëririn e largët), Delin Hajdaraj.

Osmeni është konfliktuar fizikisht me një nga djemtë që ndodheshin aty, Albano Konomi, duke e goditur këtë të fundit me kaçavidë. Në konflikt e sipër ka ardhur Delin Hajdaraj, i cili kishte marrë me vete një armë zjarri automatik, model 56, dhe ka qëlluar në ajër, si dhe në drejtim të personave të tjerë të cilët po pushonin në plazh, nga ku mbetën të vrarë tre plazhistë, që nuk kishin asnjë lidhje me konfliktin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat