Ruçi-Berisha 'sherr' për Ramën...votimi elektronik ngel në udhëkryq!

Shqipëria

Ruçi-Berisha 'sherr' për Ramën...votimi elektronik ngel në udhëkryq!

Më: 26 janar 2017 Në ora: 13:07
Sali Berisha dhe Gramoz Ruçi

Ashtu siç pritej, këtë të enjte Kuvendi i Shqipërisë i nisi diskutimet me kërkesën e përsëritur të demokratëve për të realizuar votimin elektronik në zgjedhjet e 18 qershorit. Për partitë opozitare kjo është e vetmja rrugë për të pasur zgjedhje të lira dhe demokratike. Por për socialistët kjo është vetëm një alibi, duke qenë se sipas tyre opozita ka nisur fushatën elektorale.

Debati në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua mes ish-kryeministrit Sali Berisha në emër të opozitës, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi në emër të mazhorancës. Shpesh gjatë fjalës së tyre, deputetët ju drejtuan me emër njëri-tjetrit, por pavarësisht apelit dhe pyetjeve që adresuan, çështja e votimit elektronik mbeti sërish pa zgjidhje. Ruci tha se gjithçka është në dorë të OSBE-ODIHR, dhe vetëm nëse ekspertët japin garancinë për realizimin e votimit elektronik. Mazhoranca është dakord. Por deri më tani asnjë hap nuk është bërë që palët politike të ulen në një tryezë me OSBE-ODIHR për të shtruar problemin.

Ndërkohë, debati në Kuvend u fokusua në akuza që Berisha adresoi ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e parë atë si personin që e bllokon këtë proces, transmeton Express. Ndaj, gjatë fjalës së tij, ai ju drejtua Ruçit me pyetjen për të pranuar kërkesën e partive opozitare apo për t’iu nënshtruar kryetarit socialist Rama, që sipas Berishës është radhitur krah krimit.

Berisha: Pranoni kërkesën e forcave opozitare sepse është rruga ligjore e vetme për të bërë që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje si një vend demokratik, që ata të votojnë siç votojnë qytetarët anglezë, somalez, nga Sllovenia, ganez, dhe të shumë vendeve. Nëse e hidhni poshtë, zgjedhje nuk mund të ketë. E kuptoni se kush ju drejton ju? Armiku më i egër pas kohës së diktaturës, i votës së shqiptarëve. U drejton njeriu që njësoj si Assadi i Sirisë, ju thotë qytetarëve se për tu votuar unë si kryetar duhet të votoni njëherë në referendum. Po me ju ai mund të bëjë ç’të dojë, por me shqiptarët armiku nuk do të mund të bëjë kurrë.

Është i regjistruar nga shërbimet partnere në komunikime kriminale...Atëherë do votojmë ne apo do i nënshtrohemi një njeriu që është vënë në krah të Meduzës? Kjo është kërkesa më qytetare dhe civile. Hapet tenderi, votojnë emigrantët, pavarësisht se kush mund të fitojë, rëndësi ka që të gjithë të shprehin vullnetin e tyre”.

Ruci: Na fole për rrugën e vetme, e na solle shembull Somalinë e Ganën. Shqiptarët duan të venë në Holandë, aty ky është arsimuar dhe kryetari yt. Që këtë votim e ka hequr. Edhe Franca e ka hequr këtë që kërkon ti. Shqiptarët duan të jenë si Gjermania, por edhe ky shtet e ka hequr votimin elektronik. Jemi një vend që nuk shkëlqejmë për zgjedhjet, s’dua të nxjerr përgjegjësitë, por kemi një arbitër. Kemi pranuar një arbitër, OSBE/ IDHIR. Nëse këta e rekomandojmë, ne jemi plotësisht dakord. Ti Sali nuk na lejove hapjen e kutive. Ishe gati të sakrifikojë 180 burra bashkë me këtë kryetarin tonë që i kanë vjedhur votën. Po ashtu edhe atë rastin me 10 vota, që ti Sali e përmbyse. Uluni me përfaqësuesit e OSBE-ODIHR shtrojeni problemin, dhe nëse ata pranojnë nuk kemi asnjë shqetësim, dhe këtu mbylljet cështja. Ky që na drejton neve të ka mundur dy herë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat