Prokuroria nis hetimet për akuzat e ish-ministrit Ylli Manjanit

Shqipëria

Prokuroria nis hetimet për akuzat e ish-ministrit Ylli Manjanit

Më: 3 shkurt 2017 Në ora: 09:56
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla

Prokuroria ka nisur hetimet menjëherë pas deklaratës së dhënë nga ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ditën kur u shkarkua nga detyra. Deklarata është bërë në emisionin “Opinion”, prej Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Madje, ai ka shtuar se vetë Manjani është shprehur dakord të paraqitet në prokurori në momentin që hetimet do të jenë në një fazë të dytë. Me një deklaratë të tillë, prokurori ka lënë të kuptohet se po punohet mbi akuzën se Rama ka shkarkuar kryebashkiak, pa u mbledhur Këshilli i Ministrave, për akuzën e mos arrestimit të Klement Balilit, për të cilin Manjani ka deklaruar se në hotelin e tij ministrat flenë me dashnoret. Po ashtu hetim mund të jetë dhe për përfshirjen e policisë në favorizimin e kanabisit apo mbi tenderat. Një tjetër pikë e nxehtë në emision ka qenë dhe mundësia e një kërkese të ambasadorëve për arrestimin e Sali Berishës.

Sipas Llallës, ambasadorët kanë abuzuar duke u paraqitur në zyrën e tij dhe duke i kërkuar arrestimin e zyrtarëve të lartë. “Ambasadori nuk sjell fakte. Nuk është polici gjyqësore”, është shprehur Llalla, teksa ka pranuar se i është kërkuar ndalimi i ministrave apo dhe ish- ministrave. Megjithatë, Llalla shtoi se më shumë kërkesat kanë qenë të mbështetura mbi opinione, por se prokuroria vepron me prova. Në lidhje me këtë është vënë në dijeni Presidenti i vendit. Madje, Llalla shton se dhe kreu i shtetit ka marrë kontakt me ambasadorin përkatës, por ai e ka mohuar këtë situatë.

I pyetur në lidhje me çështjen “Balili”, për të cilin Greqia lëshoi urdhër ndalimi në muajin maj, por se deri në nëntor ai lëvizte lirshëm në Shqipëri, Llalla ka nënvizuar se nuk është prokuroria ajo që bën arrestimin, teksa ka kundërshtuar argumentin se prokuroria nuk ka lëshuar urdhër arrestin. Sipas Llallës, në momentin që një person shpallet në kërkim ndërkombëtar, atëherë është policia që bën ndalimin. Ndërsa prokuroria vijon me procedurat pas ndalimit. Megjithatë drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, ka nënvizuar se Shqipëria është ndër vendet me korrupsion më të lartë, por me pak të arrestuar. Madje, ai thekson se është e dukshme që të rinjtë bëjnë shpenzime marramendëse dhe kur nuk janë të punësuar, apo deputetët kanë automjete të shtrenjta.

Pika këto të forta për të hetuar. Në lidhje me këtë, Llalla ka nënvizuar se nuk është prokuroria që realizon procesin e ndalimit apo dhe të patrullimit. Por prokuroria drejton hetimin ndërsa janë struktura të tjera ata që bëjnë patrullimin dhe konstatimin, duke vijuar kështu më pas dhe në fazën e hetimit. Në lidhje me hetimin e parlamentarëve, Llalla ka nënvizuar se tashmë janë 7 deputetë të cilët ose janë në fazën e gjykimit ose dhe janë nën hetim. Po ashtu, ai ka shtuar se ka dhe mjaft zyrtarë të lartë madje deri në ministra për të cilët është kërkuar mbledhja e informacionit. Indiciet në këto raste kanë ardhur prej qytetarëve të cilët kanë bërë denoncimet duke paraqitur informacionet të cilat kanë.

Llalla për këtë është shprehur se është kërkuar më shumë informacione nga vende të tjera dhe vetëm pas kësaj do të vendoset nëse do të ketë hetime shtesë. Po ashtu kryeprokurori ka deklaruar se për shkak të kërcënimeve që ka marrë, ka larguar nga Shqipëria familjen e tij dhe për këtë ka gjetur mbështetjen e ambasadorit të vendit pritës. Llalla nënvizoi se tashmë familja e tij është marrë nën mbrojtje të këtij vendi. Por, se pas mbarimit të mandatit në drejtim të prokurorisë, Llalla ka deklaruar se nuk do të braktisë vendin. Gjatë emisionit, kryeprokurori ka sqaruar dhe çështjen e sekuestrimit të serverave të ILDKP. Sipas tij, veprimi nuk cenonte veprimtarinë e informacionit, pasi dokumentet ruhen në disa forma.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat