Rrëfehet roja privat: Mund ta kishim shmangur grabitjen spektakolare në Rinas

Shqipëria

Rrëfehet roja privat: Mund ta kishim shmangur grabitjen spektakolare në Rinas

Më: 12 shkurt 2017 Në ora: 00:18
Ilustrim

Pas arrestimit të 5 punonjësve të policisë private “Jaguar”, të cilët shoqëronin shumën e parave që u grabit dy ditë më parë në rrugën e Rinasit, zbardhen detaje nga dëshmia e tyre

Burimet zyrtare thanë për mediat shqiptare se policët privatë kanë neglizhuar dhe nuk kanë vepruar si duhet, duke shpërdoruar edhe detyrën me anë të mosveprimit.

Faktin që e kanë lajmëruar vonë Policinë për ngjarjen, punonjësit e policisë private e justifikojnë me panikun që i zuri nga të shtënat e grabitësve. Edhe pse kishin dyshuar që në momentin kur kanë parë makinat pas tyre, ata nuk kanë pasur mundësi ta shmangnin ngjarjen.

“Dyshuam që në momentin që pamë njërën makinë pas nesh që po tentonte disa herë të na parakalonte, por më pas menduam se ishte thjesht një tentativë parakalimi e zakonshme. Më pas na zuri paniku dhe nuk kisha si të lajmëroja policinë. Kundërshtova fillimisht duke qëlluar në ajër me armë, por ata na qëlluan drejtpërdrejt dhe nuk e di si nuk na zunë plumbat” ka treguar njëri prej punonjësve të policisë private.

Ai dëshmoi se ndodhej në makinën e dytë, bashkë me dy kolegë të tjerë. Në këtë makinë ndodheshin thasët me para që po i transportonin drejt Rinasit.

“Dy makina kanë ecur paralel me dy mjetet tona dhe njëra prej makinave, më duket se ishte “Jeep”, ka goditur në pjesën ballore blindën e parë ku ndodheshin 2 punonjës, e më pas të dytin, që isha unë e dy kolegët. Jam i terrorizuar nga ajo që pashë”, shprehet polici privat.

DESHMITARET

Duke qenë se grabitja ka ndodhur për rreth 5 minuta, lëvizja e mjeteve drejt Rinasit dhe anasjelltas është ndaluar dhe disa dëshmitarë kanë pasur kohë edhe të filmojnë atë që po ndodhte.

Policia e Tiranës ka shoqëruar disa prej dëshmitarëve dhe ka mbledhur disa prej videove që ata kanë bërë, në mënyrë që të ndihmojnë për ndonjë element që u shërben hetimeve. Një prej dëshmitarëve që ka realizuar një video të momentit të grabitjes, tregon se ka nisur të filmojë krejt rastësisht, pa e ditur se çfarë po ndodhte.

Në njërën prej videove, pasi largohen grabitësit, dëgjohet një prej policëve privatë, i cili madje aludon se mund të jetë shteti përgjegjës për këtë ngjarje. “Patrulla ishte aty, patrulla… I merr shteti vetë këta, se s’ka mundësi”, dëgjohet polici në video.

Dëshmitari që ka filmuar tregon se fillimisht ka dyshuar se ishte ndonjë kontroll i policisë, por pas të shtënave e ka kuptuar që bëhej fjalë për grabitje.

“Pashë një fuoristradë që u përplas me njërën makinë dhe mendova se ishte aksident. Më pas, kur zbritën këta personat me uniformë, thashë se ishin policë dhe vazhdova të filmoj. Por kur dëgjova breshërinë e armëve, e kuptova që ishte grabitje. Isha rreth 50 metra larg vendit ku po ndodhte ngjarja dhe më zuri frika edhe mua, por ata më pas u larguan”, tregon dëshmitari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat