Akuzat e Lu ndaj Llallës për serverin e ILDKPKI-së, ja ç’thotë dokumenti

Shqipëria

Akuzat e Lu ndaj Llallës për serverin e ILDKPKI-së, ja ç’thotë dokumenti

Më: 12 shkurt 2017 Në ora: 11:20
Prokurori Adriatik Llalla dhe ambasadori amerikan ne Tirane, Donald Lu

Publikohet dokumenti i Prokurorisë së Tiranës në lidhje me sekuestrimin e provave në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, pas hetimit të nisur në nëntor 2016.

Bëhet fjalë për dokumentin që u citua edhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili kritikoi përpjekjen e Prokurorit të Përgjithshëm për sekuestrimin e serverit të ILDKPKI, duke e lidhur këtë proces me vetingun.

Mirëpo, me sa duket, shkresa e urdhrit të sekuestros, e lëshuar nga prokuroria, ka të bëjë me diçka krejt tjetër sesa me sekuestrimin e serverit. Në shkresën që mban datën 7 nëntor 2016, me autor prokurorin e çështjes Gjergji Tako, thuhet se në këtë datë prokuroria ka nisur një hetim pas një artikulli të botuar po atë ditë në “Panorama” në faqet 6 dhe 7 të saj.

Pasi shpjegohet se gazeta është sekuestruar në cilësinë e provës materiale në pjesën me përmbajtje “Heshtje për zyrtarët e lartë dhe familjarët, asnjë rast konflikti interesi në tre vjet”, prokuroria shpjegon arsyen e nisjes së hetimit.

Sipas saj, në artikull shprehet pretendimi se në tri raste, anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë kanë qenë objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht për dyshime për konflikt interesi. Në një rast, gjykata ka marrë një vendim që ka konfirmuar ekzistencën e konfliktit të interesit, thekson prokuroria.

Sipas saj, mbi këtë bazë është vendosur nisja e hetimit bazuar në sugjerimin e Policisë Gjyqësore se kishte elementë të mjaftueshëm për ta bërë një gjë të tillë.

Pasi shpjegohet në dokument se prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale “shpërdorim detyre”, organi i akuzës shprehet se për një hetim sa më efektiv duhet të merren akte në origjinal nga ILDKPKI si më poshtë: rregullorja e brendshme dhe metodologjia e përdorur, vendimet për masat administrative të marra në periudhën 1 janar 2014-8 nëntor 2016, libri i gjobave të vendosura si masë administrative për mosdorëzim në afat të deklaratave të pasurisë, libri me blloqet e mandat arkëtimet e gjobave të vendosura në periudhën e përmendur më lart, si dhe të dhënat e ruajtura në serverin qendror të sistemit kompjuterik nëpërmjet shkarkimit të të dhënave. Dokumenti është firmosur nga prokurori Gjergji Tako dhe kryerja e sekuestrimit u është ngarkuar katër oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe specialistit të IT.

Një sekuestro e tillë u shfuqizua nga Gjykata e Tiranës në dhjetor 2016, pas padisë së kreut të ILDKPKI. Gjykata më pas rrëzoi të drejtën e prokurorisë jo vetëm për sekuestro, por edhe për këqyrjen e provave në fjalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat