Koalicioni opozitar pranon ftesën e koalicionit qeverisës për një tryezë dialogu

Shqipëria

Koalicioni opozitar pranon ftesën e koalicionit qeverisës për një tryezë dialogu

Më: 3 mars 2017 Në ora: 15:36
Tryeza e koalicionit të opozitës shqiptare

Koalicioni opozitar ka pranuar ftesën e koalicionit qeveritar për një tryezë dialogu.

Me anë të një deklarate për shtyp koalicioni opozitar, thekson se, “duke vlerësuar momentin kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët për shkak të kërcënimit të zgjedhjeve dhe të votës së lirë dhe të ndershme nga krimi dhe droga me lidhje qeveritare, shpreh gatishmërinë për një tryezë dialogu të vërtetë dhe jo fasadë, me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar me qëllim krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie me mbështetje të gjerë politike”.

Koalicioni opozitar nënvizon se, “kjo qeveri teknike do të garantojë zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës, përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”.

Më herët sot, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dy drejtuesit e koalicionit qeveritar PS-LSI zhvilluan një takim 1 orësh ne vilën qeveritare, në Tiranë, pas të cilit u shprehën të gatshëm për të dialoguar apo ulur në tryezë me opozitën, e cila prej 18 shkurtit po proteston në çadrën e vendosur para Kryeministrisë duke kërkuar largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat