Çelet Panairi i 20-të “Dita e Verës”

Shqipëria

Çelet Panairi i 20-të “Dita e Verës”

Më: 13 mars 2017 Në ora: 11:03

Është çelur në Elbasan panairi i 20-të “Dita e Verës 2017″, organizuar nga Bashkia e Elbasanit, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së Panairit, kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini tha se ”Panairi, i cili hap siparin e Ditës së Verës ka rëndësi të madhe, pasi ëshë një mundësi për të gjitha bizneset, që prezantohen, por edhe për qytetarët elbasanas dhe miqtë e saj që vijnë nga e gjithë Shqipëria për të festuar Ditën e Verës”.

Sipas tij, edhe këtë vit ky panair vjen me risi, ndërkohë që ka pasur interes nga shumë biznese për të marrë pjesë. Ndërsa kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, Veli Kazazi vlerësoi dhe falënderoi bashkinë Elbasan për bashkëpunimin e treguar si dhe gatishmërinë për organizimin e këtij panairi.

Edhe deputetja Evis Kushi shprehu vlerësime për organizimin e këtij panairi, e cila e shoqëruar nga kreu i Bashkisë, si edhe drejtues të tjerë të pushtetit lokal dhe atij qëndror, kanë vizituar çdo stendë duke përshëndetur bizneset pjesëmarrëse në këtë edicion të 20-të të panairit të Ditës së Verës.

Panairi, i cili organizohet në ambientet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani” edhe këtë vit ka pasur një interes nga ana e bizneseve jo vetëm nga Elbasani, por nga i gjithë vendi. Numërohen rreth 50 kompani që kanë prezantuar produktet e tyre dhe shumica e bizneseve vijnë në këtë panair për të disatën herë.

Festimet për Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit, do të vijojnë mbrëmjen e sotme me kremtimin e “Natës së Verës” si edhe gjatë gjithë ditës së nesërme, dhe do të mbyllen me drekën e Ditës së Verës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat