Vendimi/ "Dhurata" e fundit e Saimir Tahirit për Policinë e Shtetit

Shqipëria

Vendimi/ "Dhurata" e fundit e Saimir Tahirit për Policinë e Shtetit

Më: 15 mars 2017 Në ora: 19:58
Saimir Tahiri

Duket se Ministri i Brendshëm në largim Saimir Tahiri i ka bërë një “dhuratë” të fundit Policisë së Shtetit.

Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, të marrë ditën e sotme me sugjerim të Tahirit, është vendosur që për strukturat e caktuara të Policisë së Shtetit, ushqimi të jetë falas.

Sipas këtij vendimi, punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, ato të Forcave Speciale e të Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe struktura të tjera, do trajtohen me ushqim pa pagesë nga ana e qeverisë shqiptare.

Kështu, ata punonjës policie që punojnë 8 orë, do të kenë 1 vakt të paguar, ndërsa për punë mbi 8 orë, do të paguhen që të tre vaktet.

Vendimi në fjalë përcakton në mënyrë të detajuar strukturat dhe vaktet që do të përfitojë çdo punonjës i Policisë gjatë orarit të punës. Po ashtu nga ky vendim përfitojnë edhe të gjithë studentët, kursantët dhe instruktorët në institucionet arsimore.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

TRAJTIMIN ME USHQIM TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË STUDENTËVE DHE TË KURSANTËVE NË INSTITUCIONET ARSIMORE TË POLICISË SË SHTETIT SI DHE TË SHTETASVE TË NDALUAR OSE TË ARRESTUAR, DERI  NË SQARIMIN E POZITËS SË TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 67, të  ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Trajtohen me ushqim, pa pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit, si më poshtë:
a) Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, ato të Forcave Speciale e të Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe struktura të tjera që me akte normative njehsohen me to:
i. Me një vakt “drekë”, për ditët kur kohëzgjatja e punës është 8 (tetë) orë;
ii. Me tri vakte për ditët kur punonjësit janë të angazhuar në veprime operacionale apo gatishmëri, kur kohëzgjatja e punës është më shumë se koha normale e punës prej 8 (tetë) orësh;
iii. Me tri vakte për ditët kur punonjësit e policisë janë të angazhuar në gatishmëri, në shërbime për ruajtjen, sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për përballimin e situatave emergjente dhe të fatkeqësive natyrore, të shkaktuara nga faktorë natyrorë, teknologjikë, industrialë, socialë ose veprime të shkaktuara nga njerëzit, kur kohëzgjatja e punës është mbi kohën normale të punës prej 8 (tetë) orësh.
b) Të gjithë studentët, kursantët dhe instruktorët në institucionet arsimore dhe në institucionet e Policisë së Shtetit brenda vendit: 
i. Me një vakt “drekë”, kur kohëzgjatja e trajnimit është 1 (një) ditë pune, 8 (tetë) orë;
ii. Me tri vakte, kur kohëzgjatja e trajnimit është më shumë se një ditë pune. Për ditën e parë të trajnimit, trajtimi me ushqim do të bëhet për vaktet “drekë” e “darkë” dhe për ditën e fundit të trajnimit, trajtimi do të bëhet për vaktet “mëngjes” e “drekë”.
c) Trajtohen me tri vakte ushqim, pa pagesë, edhe kategoritë e mëposhtme:
i. Shtetasit e huaj që hyjnë ilegalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri në sqarimin e pozitës së tyre;
ii. Shtetasit shqiptarë të kthyer nga vendet e tjera, deri në sqarimin e pozitës së tyre;
iii. Shtetasit e ndaluar ose të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre ose deri në transferimin e tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP).
2. Normat e ushqimit ditor të k/kalorive për të gjitha strukturat përfituese të përmendura në pikat e mësipërme të këtij vendimi përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Shëndetësisë, ku përcaktohen:
a) normat e artikujve ushqimorë, brenda limitit të miratuar të k/kalorive, duke ruajtur raportin e njësive ushqimore;
b)  normat e pajisjeve dhe të materialeve të shërbimit të ushqimit.
3. Shërbimi i ushqimit bëhet i gatuar në mensa si dhe me shërbim shpërndarjeje (katering), i cili i nënshtrohet të gjitha procedurave të prokurimit, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Për rastet kur kategoritë përfituese sipas pikës 1.1, të këtij vendimi, për shkak të detyrës janë larg qendrës së punës e të shërbimit dhe kur shërbimi i shpërndarjes (katering) nuk mund të realizojë furnizimin me ushqim në atë terren, bëhet kompensimi në vlerë (në lekë), për ditët efektive të punës. Vlera e kompensimit (në lekë) të ushqimit bëhet bazuar në normën e përcaktuar ushqimore dhe miratohet nga Drejtori i Policisë së Shtetit.
5. Fondi i përcaktuar për këtë qëllim planifikohet për çdo vit në programin buxhetor të Policisë së Shtetit.
6. Vendimi nr.702, datë 21.8.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me ushqim të punonjësve të Gardës së Republikës, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në shkolla të Policisë së Shtetit si dhe të shtetasve të ndaluar deri në sqarimin e pozitës së tyre”, nuk zbatohet për punonjësit e Policisë së Shtetit, studentët dhe kursantët në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit, si dhe për shtetasit e ndaluar apo të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre.
7. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat