Kapet në Rinas një shtetas izraelit me pajisje përgjuese

Shqipëria

Kapet në Rinas një shtetas izraelit me pajisje përgjuese

Më: 24 mars 2017 Në ora: 12:17
Ilustrim

Pasditen e së enjtes punonjësit e sigurisë në aeroportin e Rinasit kanë mbetur të habitur nga deklaratat e një qytetari të huaj që dilte nga Shqipëria. 

Gjatë kontrolleve rutinë të valixheve që transportojnë udhëtarët, është hasur një person me kombësi të huaj i cili lëvizte me një valixhe të zezë, që krijoi dyshime.

Burime nga policia treguan se kur u pyet çfarë kishte në çantën që mbante me vete, personi i huaj deklaroi se transportonte një pajisje përgjuese. Burri, rreth të 50-tave i tha punonjësve të sigurisë se ishte një qytetar izraelit.

Fillimisht punonjësit e sigurisë kanë mbetur të shokuar, por më pas i kanë kërkuar të veçohet nga udhëtarët e tjerë. Menjëherë kanë lajmëruar eprorët e tyre. Izraeliti është izoluar dhe është marrë në pyetje nga oficerët e policisë.

Burime nga Lapsi.al thanë se gjatë marrjes në pyetje ka qenë i pranishëm edhe shefi i Komisariatit të Rinasit, Ermal Milori. Detaje nga rrëfimi i izraelitit nuk bëhen me dije, por mësohet se ai ka pranuar se kishte qëndruar disa javë në Shqipëri dhe tani kthehej në Izrael.

Pasi ka qëndruar disa orë me oficerët e policisë, nuk dihet se çfarë ka ndodhur me shtetasin nga Izraeli, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policia. Nuk ka asnjë njoftim për ngjarjen, ndërsa zyrtarë të lartë të policisë nuk pranojnë të japin asnjë koment për këtë ngjarje.

Nuk do të ishte hera e parë që në territorin e Shqipërisë futet një pajisje përgjuese. Skandali që provokoi futja e IMSI CATCHER nga Interforca italiane përfshiu krerët më të lartë të policisë së shtetit dhe çoi deri në shkarkimin e drejtorit Haki Çako.

Futja në territorin shqiptar e një pajisjeje përgjimi përbën cënim të sigurisë kombëtare, ndaj policia e shtetit ka detyrimin të bëjë transparencë për këtë çështje. Burime të sigurta pranë aeroportit të Rinasit thanë se izraeliti është mbajtur nën ruajtjen e policisë deri dje në mbrëmje dhe nuk ka mundur të largohet me linjën e planifikuar.

Mbetet për t’u parë çfarë do të rezultojë nga hetimi i kësaj çështjeje që ringjall dyshime të rënda për përdorimin e pajisjeve përgjuese, pas skandalit me IMSI CATCHER. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat