Basha: Çmimin e naftës dhe të gazit që thelloi varfërinë e shqiptarëve, e rriti Edi Rama, jo bursa

Shqipëria

Basha: Çmimin e naftës dhe të gazit që thelloi varfërinë e shqiptarëve, e rriti Edi Rama, jo bursa

Më: 1 prill 2017 Në ora: 15:55
Kryetari i PD-së Lulzim Basha

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, bashkëbisedim me inxhinierë dhe specialistë të fushës për çmimin e naftës dhe hidrokarbureve. Gjendja mund të ndryshojë, dhe do të ndryshojë, me sigurimin e votës së lirë, me çlirimin e Shqipërinë nga krimi dhe droga

Paraditen e 43-të në Sheshin e Lirisë, kryetari demokrat Lulzim Basha bashëbisedoi me inxhinierë, specialist dhe qytetarë lidhur me çmimin e lartë të hidrokarbureve. Inxhinierë, mekanikë e biznesmenë argumentuan se çdo qytetar shqiptar, pavarësisht situatës së tyre ekonomike,  preket nga rritja e çmimit të gazit dhe naftës.

Emiliano Mone, inxhinier nga Fieri tha se pikërisht qytetarët e Fierit, të cilët jetojnë mbi pasurinë kombëtare të Patozit, Marinzës dhe Zharrësës janë nga më të varfërit, teksa kompanitë shfrytëzojnë resurset natyrore të shqiptarëve, për përfitimet e tyre. Rasti i naftëtarëve të Fierit, të cilët nuk marrin rrogat dhe nuk u paguhen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore prej 16 muajsh, është skandaloz.

Met Selimi, inxhinier mekanik, tha se qeveria jo vetëm rriti koston e jetesës duke rritur çmimin e naftës, por nuk ofron as cilësinë e kësaj të fundit. Karburanti në Shqipëri është jashtë normave të cilësisë.

Rritja e çmimit të naftës dhe gazit nuk prek vetëm personat të cilët përdorin automjetet personale. Inxhinierët denoncuan se vetëm një vit më pare, Rilindja rriti me 33% çmimin e biletave të autobuzave urbanë, duke rritur koston e jetesës së qytetarëve. Po kështu, rriti edhe çmimin e gazit, edhe për përdoruesit familjarë. Një bombël gazi ka pësuar rritje deri në 60% duke shtuar ndjeshëm shpenzimet e një famijeje shqiptare që përdor gaz. Të prekur nga rritja e çmimit të gazit ishin edhe shoferët, të cilët për shkak të çmimit të lartë të naftës, i vendosën automjeteve të tyre impiante me gaz.

Kryetari Lulzim Basha tha se rasti i rritjes së çmimit të hidrokarbureve dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore tregon se mirëqënia ekonomike e qytetarëve shqiptarë nuk është parësore për këtë qeveri.

 “Këtu folësit e thanë fare qartë se çmimi i rritur i naftës, çmimi i rritur i gazit, i energjisë elektrike është një nga faktorët kryesorë të rritjes së varfërisë, përmes rritjes së kostos së jetesës, sepse nafta më e shtrenjtë, do të thotë produkte më të shtranjta, shërbime më të shtrenjta për qytetarët shqiptarë. Çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në rajon, ndërkohë që fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta në rajon. Sot Kryeministri bredh duke thënë se çmimi i naftës është çmim i bursës.

Por a nuk ishte Edi Rama që rriti jo një herë, por dy herë akcizën mbi hidrokarburet? Sot çdo litër naftë është 240 lekë më i shtrenjtë jo për shkak të tregjeve por për shkak të Kryeministrit i cili e rri akcizën e naftës”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se asgjë nga këto nuk ka për të ndryshuar për mirë, në rast se shqiptarët nuk vendosin me votën e tyre të lirë përfaqësuesit e tyre, bazuar në nje program dhe premtime. Kjo mund të ndodhë vetëm pasi lidhja e fortë mes krimit dhe pushtetit të thyhet njëherë e mirë.

 “Por që të arrijmë këtë, duhet dhe do të çmontojmë nga rrënjët koalicionin e 1 prillit, zakonin e 1 prillit, vesin e 1 prillit, trajtimin e popullit si budalla nga një grusht pushtetarësh të korruptuar dhe të inkriminuar deri në palcë. Sot le ti themi dhe mediave të 1 prillit, se asgjë nuk ka ndryshuar në kushtet që ne i kemi vënë kësaj qeverie prej datës 18 Shkurt.

Nuk ka e nuk do të ketë asnjë kusht të ri. Por nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kushtet dhe vendimet që shqiptarët shpallën njëzëri në këtë shesh; qeveri teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të realizojë dhe zbatojë dekriminalizimin, që do të luftojë me të vërtetë dhe jo alla Xhafa drogën, trafiqet e drogës dhe paratë e drogës, që do të sigurojë të drejtën sovrane të cdo shqiptari e shqiptareje për të votuar i lirë, i pashantazhuar dhe i pablerë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, dhe këtu, gadishmërinë tonë për ti shkuar deri në fund zbatimit të reformës në drejtësi, sipas paktit popullor të 22 Korrikut, dhe jo sipas kulisave Rama- Shullazi”, theksoi Basha.

Kryetari Lulzim Basha pohoi se vendimi i marrë  më 18 shkurt, dhe i pandryshuar edhe në javën e 8 të qëndresës së qytetarëve, do të mbetet i tillë deri në fund, pasi pa çliruar Shqipërinë nga krimi dhe droga, të gjithë shqiptarët, pa dallim bindjesh politike, socialistë e demokratë nuk do të shohin ditë të bardha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat