Babai çon djalin në Angli dhe e lë në mes të rrugës...për një arsye madhore

Shqipëria

Babai çon djalin në Angli dhe e lë në mes të rrugës...për një arsye madhore

Më: 7 prill 2017 Në ora: 14:07
Pamje nga Londra

Sigurimi i statusit të azilantit në Angli, dhe prekja e ëndrrës për të fituar lejen e qëndrimin në Angli për fëmijën e tij të mitur, ka detyruar një baba shqiptar, të braktisë djalin e mitur mes katër udhëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe të kthehet në Shqipëri.

S.J, baba i tre fëmijëve ka zgjedhur një mënyrë krejt të kundërt me atë që bëjnë shumë shqiptarë për të shkuar në Angli. Ai ka udhëtuar së bashku me djalin nga Shqipëria në Itali dhe më pas ka shkuar në Francë e më tej me  kamion në Angli. Pikërisht në këtë shtet ka lënë djalin e tij mes katër rrugëve dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë, ku më pas ka rivendosur kontaktet me të birin, i cili e ka njoftuar se qëndronte në një banesë me një shtetase indiane në Angli dhe se frekuentonte shkollën në këtë shtet. 

Pas kësaj bisede S.J, ka rënë në qetësi shpirtërore pasi ka mundur të realizojë me sukses ëndrrën e tij, për të fituar një leje qëndrimi për djalin në Angli. Mirëpo nuk kanë kaluar shumë kohë dhe autoritet e Mbretërisë së Bashkuar kanë dërguar një material hetimor në prokurorinë e Tiranës, për të kryer verifikime se kujt personi në Shqipëri i përket fëmija i mitur mes katër rrugëve në Mbretërinë e Bashkuar. Pas mbërritjes së këtij materiali me letër-porosi prokuroria dhe policia e Tiranës, kanë nisur hetimet për ngjarjen.

Dëshmia e babait: Më iku nga hoteli 

Oficerët e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Vorë kanë kryer veprimet e para hetimore, duke gjetur vendbanimin e S.J. Gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se kishte dalë jashtë shtetit bashkë me djalin për të shkuar në Itali, tek daja i të birit, për ta vizituar pasi kishte depresion. Pasi kishin qëndruar tre ditë, kishin shkuar në Francë, në një hotel një natë. Kur ishte ngritur në mëngjes, kishte konstatuar se i biri nuk ishte. Punonjësit e hotelit i kishin  thënë se një djalë kishte dalë nga hoteli herët në mëngjes. Pas kësaj S.J ishte kthyer në Itali. 

Pas tre ditëve, i biri e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë se kishte shkuar në Angli me maune. S.J ka deklaruar se nuk kishte njoftuar policinë në Francë dhe në Itali, pasi nuk dinte gjuhën. Gjithashtu në Shqipëri nuk kishte bërë kallëzim për shkak se nuk e dinte se duhej bërë. I kishin thënë se kur të kthehej në Shqipëri pa djalin, do ta pyesnin punonjësit e policisë, por kur ishte kthyer nuk i kishin thënë gjë. Djali me pas e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë se ishte mirë, e kishte marrë në shtëpi një grua me kombësi indiane, e cila ishte e divorcuar dhe kishte një vajzë. Shkonte në shkollë dhe kishte dalë mirë me mësime.   Nuk kishte asnjë problem në Angli dhe nuk donte të kthehej. Për këtë ngjarje S.J, është marrë i pandehur nga prokuroria e Tiranës për akuzën e “Braktisjes së fëmijës së mitur” dhe është dënuar nga gjykata e Tiranës me 1 milion e 200 mijë lek gjobë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat