Rama: Momenti për të këmbëngulur në domosdoshmërinë e dialogut

Shqipëria

Rama: Momenti për të këmbëngulur në domosdoshmërinë e dialogut

Më: 13 prill 2017 Në ora: 14:11
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në një prononcim për mediat se ky është momenti për të këmbëngulur në domosdoshmërinë e dialogut.

“Ka një nisëm të Presidentit të Republikës që e kemi përkrahur pa asnjë ngurrim. Jemi të gatshëm të ulemi në tryezën e dialogut pa kushte. Por sërish ka një vonesë që shpresoj të mos jetë vonesa që paralajmëron dështimin e kësaj tryeze”, tha Kryeministri Rama.

E rëndësishme, u shpreh Rama, “është që të gjithë ta kuptojnë se persa na takon dhe më takon, dialogu është preference e parë. Koha nuk pret. PD dhe kryetari i saj nuk duhet të kenë frikë nga dialogu dhe nga shkëmbimi i opinioneve që mund të sjellë progres në çdo drejtim”.

“Është një frikë e pajustifikueshme kundrejt vetë zgjedhësve të PD. Ndërkohë që po rritet vëmendja e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ne po presim të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme në 18 qershor”.

Rama u shpreh se është i gatshëm të takohet me Bashën në çdo vend. “Jam i gatshëm të futem në çdo godinë apo dhomë ku kryetari i PD është i gatshëm të ulet në dialog”.

Rama u shpreh se është i qetë pasi ai nuk sheh asnjë krizë poltike apo shoqërore. “Në gjithë këtë proces jam i qetë sepse nuk shoh krizë politike, as krizë shoqërore. Shoh një krizë dramatike të PD, për të cilën sigurisht të gjithë jemi të shqetësuar që të dalë nga qerthulli ku ka hyrë”.

“Ajo që mbetet është që ky vend ka zot dhe zoti në këtë vend është populli shqiptar, i cili do të bëjë zgjedhje në 18 qershor”, tha Rama.

“Kemi bërë shumë. Kemi ende shumë për të bërë dhe mezi presim të flasim me shqiptarët. Për njerëzit që duan liri, barazi, oferta jonë do të jetë mjaft e kënashme”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat