Rama përkrah nisëm e Nishanit për një tryezë të partive politike

Shqipëria

Rama përkrah nisëm e Nishanit për një tryezë të partive politike

Më: 13 prill 2017 Në ora: 16:53
Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama konfirmon nismën e Presidentit Bujar Nishani për të organizuar një tryezë politike për të zgjidhur krizën.

Rama shprehu gatishmërinë për t’u ulur për dialog pa kushte në një tryezë me të gjitha partitë parlamentare.

“Është përsëri dhe përsëri momenti për të këmbëngulur për dialog. Ka një nismë të Presidentit që ne e kemi përkrahur pa asnjë ngurrim, duke nënvizuar se jemi të gatshëm të ulemi në tryezën e dialogut pa kushte dhe siç ndodhi në përpjekjen e mëparshme, ka një vonesë që shpresoj të mos jetë vonesë që paralajmëron dështimin e kësaj përpjekjeje tjetër”, tha Rama.

Kryeministri rishprehu vullnetin për një dialog me demokratët, kur tha se një tryezë e tillë mbetet preferencë e parë për të, por pati një thirrje për kreun e PD-së.

“Koha nuk pret, PD dhe kryetari i saj nuk duhet të kenë frikë nga dialogu, nga tryeza ku të gjitha partitë parlamentare mund të shprehin pikëpamjet e tyre. Është një frikë e pajustifikueshme në raport me opinionin publik dhe në raport me zgjedhësit e PD”, deklaroi Rama.

Por, a është gati kreu i qeverisë, ashtu siç u shpreh eurodeputeti Kukan pak ditë më parë, të mbyllet në një dhomë me Bashën dhe Metën?

“I bie që dhoma të jetë me oxhak. Unë nuk vë këtë kusht, unë jam i gatshëm të shkoj në çdo godinë dhe dhomë që kreu i PD ndihet në komoditetin e tij për të zhvilluar dialog”, u përgjigj Rama.

Ndërsa Parlamenti nisi sot procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, më 19 prill, kur do të jetë edhe raundi i parë, kryeministri tha se ende nuk ka një emër, por mazhoranca do t’i japë vendit një President dinjitoz dhe përfaqësues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat