Flet aleati i Ramës: Ja si mund të zgjidhet kriza politike

Shqipëria

Flet aleati i Ramës: Ja si mund të zgjidhet kriza politike

Më: 16 prill 2017 Në ora: 09:28
Edi Rama dhe Paskal Milo

Aleati i Partisë Socialiste, kreu i PDS-së Paskal Milo, kërkon gjetjen e zgjidhjes së krizës në tavolinën e dialogut dhe negociatave, dhe jo në rrugë. 

Në një intervistë për mediat shqiptare, Milo e sheh mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve si variantin ekstrem të krizës.

Zoti Milo, ju jeni pjesë e koalicionit të majtë. Vendi është në një krizë që rrezikon dështimin e zgjedhjeve, ku opozita kërkon qeveri teknike dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Si i vlerësoni këto kërkesa?Kërkesat e opozitës duhen marrë të gjykuara brenda “nacionalitetit” konfliktual të politikës shqiptare këtu e 26 vite të shkuara. E kam thënë dhe po e përsëris që kërkesa për qeveri teknike është alibi politike dhe jo kërkesë e mbështetur në arsye reale. Krijon precedent, nuk duhet menduar vetëm për sot, por edhe për nesër. Për sa u përket kërkesave të tjera për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku ka arsye për shqetësime, opozita duhet t’u përgjigjet ofertave të përsëritura të PS-së për t’u ulur në bisedime e për t’u dhënë zgjidhje të mundshme atyre. Shtyrja e zgjedhjeve është varianti i krizës në ekstrem.

Mendoj se nuk janë shteruar mundësitë për të gjetur një konsensus për të mos delegjitimuar zgjedhjet e 18 qershorit. Çdo vonesë në gjetjen e kompromiseve do të vinte në dyshim këtë datë. Nëse opozita është në kërkim të garancive për zgjedhje të lira e të ndershme, ajo duhet të jetë e interesuara e parë për t’u ulur në tavolinë një orë e më parë.

Në këtë situatë ku ndodhen palët, si mund të zgjidhet kjo krizë?

Për mendimin tim, kriza ka vetëm një zgjidhje: bisedime në mos dypalëshe me faktorin ndërkombëtar, në këtë rast pse jo edhe me ndërmjetësinë e Partisë Popullore Europiane, siç u propozua dje nga tavolina e maxhorancës. Zgjidhja duhet gjetur në tavolinë e jo të vijë nga rruga. Këtu dallohen partitë demokratike me frymë europiane nga partitë “revolucionare” të stilit bolshevik e anarkist.

Si e shihni rolin e ndërkombëtarëve në këtë situatë, kur për dy muaj duhet të shkojmë në zgjedhje?

Partnerët ndërkombëtarë nuk kanë pritur që në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtar i BE-së të mund të ketë nevojë për ndërmjetësimin e tyre. Albanizimi politik rrezikon të kthehet në një normë që, së bashku me maqedonizmin politik, t’i rikthejnë Ballkanit Perëndimor imazhin e vjetër pezhorativ të fuçisë së barutit. Ndërkombëtarët janë lodhur me politikën shqiptare. Aktualisht, edhe partnerët politikë konservatorë e popullorë europianë të PD-së po i bëjnë thirrje për t’u kthyer në Parlament e për ta gjetur zgjidhjen atje.

Ju do të jeni pjesë e koalicioni me PS-në në këto zgjedhje?

PDS është shprehur e gatshme për negociata për një marrëveshje të re e me garanci zbatimi për bashkëpunim elektoral e qeverisës me PSnë. Nëse do të ketë vullnet edhe nga aleatët e vjetër për një marrëveshje të tillë, ne jemi gati të negociojmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat