Zyrtarët e lartë urojnë festën e Pashkës: Dita e ripërtëritjes së besimit e shpresës

Shqipëria

Zyrtarët e lartë urojnë festën e Pashkës: Dita e ripërtëritjes së besimit e shpresës

Më: 16 prill 2017 Në ora: 11:00
Pashkët

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama kanë uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkës.

Presidenti Nishani nëpërmjet një mesazhi publik u uroi Festën e Pashkës të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, kudo që ndodhen.

“Në këtë ditë të shenjtë, të Pashkëve kur të gjithë besimtarët e krishterë urojnë njëri-tjetrin dhe kur besimi i tyre i palëkundur te Biri i Perëndisë ripërtëritet e shumëfishohet, kam privilegjin e kënaqësinë që në cilësinë e Kreut të Shtetit t’ju uroj të gjithëve nga zemra: Gëzuar dhe përshumëvjet! Sa më shumë, mbarësi, paqe dhe begati e lumturi për ju dhe në gjirin e familjeve tuaja! Dëshiroj gjithashtu që në këtë ditë të bekuar të gjithë së bashku të rigjejmë brenda vetes virtytet më të sinqerta jo vetëm te besimi në Zot, por edhe te shoqi-shoqi, si vëllezër e motra, si bij e bija të denja shqiptarësh, që ngahera kanë aftësitë, forcën dhe kurajën për të jetuar e punuar në harmoni e mirëkuptim për begatinë dhe të ardhmen e lumtur të vendit e të popullit tonë, sidomos atë të brezave të rinj e atyre që do të vijnë më pas”, shkruhet në mesazhin e Presidentit Nishani.

Image

Festa e mrekullueshme dhe frymëzuese e Pashkëve, sipas Presidentit, është dita e ripërtëritjes së besimit e shpresës për një të nesërme më të mirë, na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë e veta, duke u përpjekur pareshtur që krahas harmonisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore e proverbiale shqiptare, t’i vërtetojmë botës dhe sidomos familjes evropiane, se vlerat e vyera të kombit tonë të lashtë janë të palëkundura e të pashtershme.

Ndërsa kryeministri Edi Rama zgjodhi për të uruar besimtarët e Krishterë, një imazh të restauruar të ikonës së famshme Burimi Jetëdhënës, në vitin 2013 dhe sot.

“Kjo vepër e mrekullueshme, është tanimë pjesë e pavionit të ri të Muzeut Onufri bashkë me shumë ikona të tjera të shpëtuara e të nxjerra në dritë, me forcën e dashurisë për këtë vend, të respektit për vlerat tona historike e kulturore, të pasionit politik për ta rilindur Shqipërinë. Shumë është bërë për trashëgiminë dhe thesaret tona historike e kulturore. Ende më shumë mbetet për t’u bërë. Por edhe shumë ka për të humbur nëse ndalemi sot në rrugën për Shqipërinë që duam me shtet, punë dhe mirëqenie“, shkruan Rama në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat