Dëshmia e 27-vjeçarit që vrau dhe groposi kushëririn në Greqi..."Më shau gruan"

Shqipëria

Dëshmia e 27-vjeçarit që vrau dhe groposi kushëririn në Greqi..."Më shau gruan"

Më: 16 prill 2017 Në ora: 17:49
Denis Zaka

Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet për 27-vjeçarin Denis Zaka i cili akuzohet për vrasjen e më tej groposjen e kushëririt të tij, dhe dosja ndaj tij është dërguar në Gjykatë. Ai akuzohet për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 shtator të vitit 2016, dhe u denoncua nga babai i Vladimir Murrizit, personit që mbeti i vrarë në Greqi nga kushëriri i tij.

E çuditshmja në këtë ngjarje ishte se Mersin Murrizi, babai i viktimës, mori për të dëshmuar në Polici, edhe Denis Zakën, kushëririn e parë të tij me të cilin ka qenë bashkë në Greqi, i cili në përfundim të hetimeve rezultoi të ishte personi që i mori jetën të afërmit.

Ngjarja u hetua paraprakisht nga Policia e Fierit e cila kreu veprimet procedurale si: pyetja e katër personave që kanë dijeni për veprën penale, këqyrjen e telefonave, tabulateve, SMS-ve dhe rrjeteve sociale, me të cilët kishte komunikime.

Nga kryerja e veprimeve procedurale, bluve të këtij qyteti u lindën dyshime të bazuara se autori i krimit ishte Denis Zaka, për shkak të kontradiktave që ai kishte në deklarimin e tij. Në këto kushte, i vënë nën presioni, 27-vjeçari me origjina nga Lushnja dhe banim në Durrës, pranoi krimin.

Denis Zaka ka shpjeguar se krimin e ka kryer nën efektin e alkoolit, kur ishte konfliktuar me kushëririn e tij, Vladimir Murrizi, pasi ky i fundit i kishte cilësuar bashkëshorten si të pamoralshme.

“Kam qenë nën efektin e alkoolit kur ka ndodhur ngjarja. U kërkoj shumë falje familjarëve të mi dhe të Vladimirit, por nuk e kam kryer me vetëdije. Ka ndodhur pas një zënke tonën kur Vladimiri më ka sharë bashkëshorten. Nuk e durova dot dhe filluam të ziheshim. Atë që bëra e kuptova vetëm kur pashë gjak dhe Vladimirin që nuk po reagonte më”, ka dëshmuar 27-vjeçari në gjykatë.

Denis Zaka ka pranuar se kufomën e ka groposur në afërsi të fshatit ku ai punonte si çoban, që ishte punësuar nga një familje greke.

“Kur pashë që Vladimiri nuk po reagonte më, atëherë erdha në vete. Në një moment nuk dija se ç’të bëja, më kapi edhe paniku. T’i tregoja ndokujt se ç’kisha bërë, kisha frikë se mos arrestohesha. Vendosa që trupin e kushëririt ta varrosja vetë afër një përroi në zonën ku unë punoja”, ka thënë i riu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat