Inaugurohet impianti i përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Elbasan, Rama: Pararojë e transformimit teknologjik

Shqipëria

Inaugurohet impianti i përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Elbasan, Rama: Pararojë e transformimit teknologjik

Më: 18 prill 2017 Në ora: 18:43
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ishte sot në ceremoninë e inaugurimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Elbasan.  Rama theksoi se, “aty ku më parë ishte fusha ku plehrat digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, sot është një fushë sanitare e standarteve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie”.

Kryeministri Rama u shpreh i surprizuar duke thënë se kishte qenë skeptik për këtë projekt megjithëse e ka mbështetur që ditën e parë që u miratua në mbledhjen e qeverisë. Ai u shpreh mirënjohës për të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë projekt, Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ministrin e Fianancave, Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini.

Duke përshkuar atë që ndodhte në fushën ku digjeshin plehrat më parë, Rama tha se, “sot kjo është një mortje që i përket të shkuarës për të parë nga afër një impiant që është padyshim një investim për të cilin nuk kemi si të mos jemi krenarë duke parë parametrat e këtij impianti”.

“Sot jemi në pararojë të transformimit teknologjik, në funksion të një transformimi mjedisor për t’i dhënë fund një historie të tmerrshme. Sot kemi një impiant që se ka askush në rajon. Dhe nuk keni parë gjë akoma realisht sepse ky është vetëm fillimi falë këtij shembulli fantastik”, tha Rama.

Duke folur për qeverisjen e shkuar Rama theksoi se, “Ata nuk e patën kurrë ndjesinë e armiqësisë ndaj plehrave, përkundrazi bashkëjetuan me plehra dhe mbijetuan mes plehrave. Dhe sa herë u tentua të shkohej kundër asaj politike u ngritën zërat që klithën për ndotje, helme, intoksikime deri në zhdukje masive”. Rama u shpreh se, “impiante si ky do të ndërtojmë dhe në Fier dhe në Tiranë”.

Ndërsa ministri i Mjedisit, Lefter Koka në fjalën e tij theksoi se, “impianti është një kryevepër e teknologjisë, tejkalon çdo standard mjedisor kombëtar e ndërkombëtar”.

“Impianti është vepër inxhinierike unike në llojin e vet në Shqipëri. Impianti është superekologjik nga gjigandët Botërorë Paul Ëurth, Siemens, Tama. Impianti i jep imazh pozitiv Shqipërisë në menaxhimin e integruar të mbetjeve”, tha Koka.

Koka theksoi se, “Investimi është një model që duhet pasuar nga të tjera projekte si ky. Zërat më kritikë të kësaj vepre madhore janë të pranishëm. Kritikët mund ta shohin e të shuajnë çdo skepticizëm që paten”, tha Koka, duke shtuar se, “dikur për mjedisin janë shpërdoruar miliona euro, askush nuk di të thotë ku kanë përfunduar ato”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat