Edi Rama: Presidenti, mundësi për dialog

Shqipëria

Edi Rama: Presidenti, mundësi për dialog

Më: 20 prill 2017 Në ora: 00:10
Edi Rama

Për Edi Ramën, zgjedhja e presidentit nuk është një matje force e mazhorancës, por një tjetër mundësi për të afruar opozitën në dialog.

“Në sallë janë numrat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ju e dini këtë. Megjithatë, ne, sikundër e kemi thënë më parë, për t’i dhënë të gjithë hapësirën e mundshme brenda kornizës kushtetuese, brenda rregullave të lojës demokratike, Partisë Demokratike dhe atyre që bashkë me të janë ngujuar në çadrën e frikës nga drejtësia, nuk paraqitëm një kandidat, sepse duam të krijojmë mundësinë që të mund të gjemë së bashku me atë pjesë që na mungon në Parlament, mundësisht konsensus rreth një figure që të jetë sa më përfaqësuese, sa më gjithëpërfshirëse”, tha Rama pas dështimit të raundit të parë për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Kryeministri foli edhe për kufirin e ri të durimit të tij. “Ne do presim. Nuk na nxiton asgjë. Më mirë një president i duhur dhe i pranuar nga sa më shumë, sesa një president i zgjedhur në një sallë ku opozita që duhet të vinte në punë, nuk vjen të punojë”, tha Rama, shkruan Top Channel.

Kreu i qeverisë shkoi dhe më tej, kur nuk përjashtoi dhe mundësinë e një emri nga opozita për postin e kreut të shtetit.

“Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe nuk kemi asnjë kufi të paravendosur. Ne duam që t’i japim Shqipërisë një president dinjitoz, që të mund të qëndrojë sa më mbi palët, për aq sa Shqipëria, sigurisht, e bën të mundur këtë gjë, sepse të gjithë këtu jetojmë. Presidentin nuk po e presim të na vijë nga materniteti, po e presim ta gjejmë midis nesh. Ama është shumë e rëndësishme që të kemi një president që, kur jemi në situata si kjo, të ketë minimalisht autoritetin që t’iu bëjë një telefon të gjithëve dhe t’iu thotë “ejani të flasim njëherë se çfarë ndodh”, jo një president që nuk e bën dot këtë gjë, sepse është i njëanshëm”, u shpreh Rama.

E në fund, Rama dha edhe një siguri. “Vendi nuk do ngelet asnjë ditë pa president”, pohoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat