Reforma në Drejtësi, Shqipëria merr mbështetjen e plotë të SHBA-ve

Shqipëria

Reforma në Drejtësi, Shqipëria merr mbështetjen e plotë të SHBA-ve

Më: 21 prill 2017 Në ora: 10:24
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati në takim me me Zv. Sekretarin e Shtetit, Thomas Shannon

Në kuadër të vizitës së tij në Washington Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi takime në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon, me Zv. Sekretarin e Shtetit, Thomas Shannon, si dhe me Nën-Sekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa Whelan.

Në takimin me Zv. Sekretarin e Shtetit, Tom Shannon, bashkëbiseduesit trajtuan forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në kuadër të partneritetit strategjik, si dhe rritjen e bashkëveprimit në përballjen e sfidave të përbashkëta siç është lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ministri Bushati e njohu Zv. Sekretarin e Shtetit me zhvillimet e brendshme, duke u ndalur te reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, kryesisht reforma në drejtësi dhe përpjekjet për zbatimin e vetting-ut. Teksa rikonfirmoi partneritetin e ngushtë midis dy vendeve, Zv. Sekretari Shanon nënvizoi “mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për zbatimin e reformës në drejtësi si dhe angazhimin e përbashkët në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”. Ministri Bushati falënderoi Zv. Sekretarin Shanon “për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe rajonin, në forcimin e paqes, stabilitetit demokratik dhe reformave shtet-konsoliduese”. 

Në këtë kontekst, Shannon bëri thirrje që “të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Bashkëbiseduesit u ndalën mbi zhvillimet e fundit në rajon, rolin konstruktiv të Shqipërisë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe rëndësinë e kontributit të vendit tonë në përmirësimin e mjedisit të sigurisë në Europën Jug-Lindore. Palët ranë dakord se progresi i reformave shtet-konsoliduese dhe fryma e bashkëpunimit, në frymën e vlerave dhe perspektivës euro-atlantike, mbeten akset kryesorë të përforcimit të paqes dhe stabilitetit demokratik në rajonin tonë. Në takimin me Nën-Sekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa Whelan, Ministri Bushati falënderoi SHBA-të për mbështetjen e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë në reformën e sektorit të sigurisë dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Biseda pati në fokus nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në përgjigje edhe të sfidave të sigurisë me të cilat po përballet hapësira euro-atlantike. 

Ministri Bushati e njohu Whelan me rolin e shtuar të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e NATO-s, si dhe mbi kontributin e saj të qenësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Bushati rikonfirmoi vendosmërinë e vendit tonë për të vijuar me materializimin e angazhimeve të marra në Samitet e NATO-s në Uells dhe Varshavë, përfshirë rritjen e buxhetit dhe investimeve në fushën e mbrojtjes. Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e një vëmendje të shtuar ndaj rajonit dhe të bashkërendimit të përpjekjeve për të forcuar stabilitetin demokratik dhe përmirësuar mjedisin e sigurisë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat