Rama letër Llallës: Zbulo të shkuarën e deputetëve të Partisë Socialiste

Shqipëria

Rama letër Llallës: Zbulo të shkuarën e deputetëve të Partisë Socialiste

Më: 21 prill 2017 Në ora: 20:42
Edi Rama

Megjithëse i ka pasur deputetë për të paktën 4 vjet në grupin parlamentar, Edi Rama duket se nuk ka besim te njerëzit e tij.

Përpara se të shpallë listën zyrtare të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 18 qershorit kreu i qeverisë ka vendosur të bëjë “Vetting” të grupit aktual të deputetëve.

Top Channel shkruan se Rama i ka nisur një letër prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla duke i kërkuar verifikimin e të gjithë deputetëve aktualë.

Rama shkruan se “Partia Socialiste, si forcë kryesore, është e angazhuar shumë seriozisht për fuqizimin e konsolidimit të besimit në popull, duke filluar që nga deputetët”.

Ndaj në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit, Rama i kërkon Llallës të marrë në konsideratë këtë kërkesë për të kryer verifikimet e të gjitha të dhënave të deklaruara nga deputetët e PS dhe të dërgojë një përgjigje përpara 29 prillit, ditës kur në KQZ do të dorëzohet zyrtarisht lista me emrat e kandidatëve për deputetë.

Po sipas TCH, lista aktuale e deputetëve do të marrë edhe një vlerësim nga Gramoz Ruçi.

Ky i fundit do të paraqesë në kryesi raportin e kontributeve politike të deputetëve, pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet e grupit parlamentar, në seancat e Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare; praninë e tyre pranë bazës socialiste dhe elektoratit; si edhe ecurinë e deklaratave të tyre të pasurisë gjatë këtij mandati qeverisës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat