Presidenti i ri - Blushi: Palët po fyejnë popullin. Shpresoj që PD mos e ketë seriozisht

Shqipëria

Presidenti i ri - Blushi: Palët po fyejnë popullin. Shpresoj që PD mos e ketë seriozisht

Më: 22 prill 2017 Në ora: 20:39
Blushi

Kryetari dhe deputeti i LIBRA, Ben Blushi tha se ajo që po ndodh më Presidentin e ri është një fyerje dhe poshtërim që poi  bëhet popullit shqiptar, por edhe figurës së presidentit. Ai tha se Rilindja po e kompromenton procesin e zgjedhjes së Presidentit për të zgjidhur krizën e koalicionit.

Nga Korça ku ishte për të hartuar listat e deputetëve në këtë qarku, Ben Blushi tha se LIBRA në çdo rast do të jetë pjesë e zgjedhjeve, ndërsa bëri thirrje për zgjidhje të krizës me dialog.

Në lidhje me protestën e PD, kreu i LIBRA tha se shpresonte që ato që ka thënë Basha të jenë thjesht kërcënime dhe jo gjëra seriozë.

Blushi: Procesi i zgjedhjes së Presidentit fyerje

Blushi: Kjo që po ndodh me Presidentin është fyerje dhe poshtërim për popullin shqiptar të cilit do ti japin një president të pamerituar, nëse do ti japin një president para zgjedhjeve. Një poshtërim për figurën e presidentit kushdo qoftë ai. Është një nëpërkëmbje, një poshtërim i institucionit më të lartë kushtetues të Shqipërisë duke e konsideruar si një nëpunës të thjeshtë që mund të zgjidhet 3 minuta përpara votimit.

Rilindja po e kompromenton këtë proces duke e kthyer në një pazar me aleatët e vet në pushtet. Pra kjo është një lojë pushteti, dhe në një mënyrë për të zgjidhur krizën e koalicionit. Të shohim dhe këtë javë çfarë do të ndodhi dhe sigurisht, pavarësisht nga kjo shija është shumë e keqe, po poshtërohet institucioni i Presidentit për shkaqe të ulëta banale të zgjidhjes së aferave dhe pazareve të këtij koalicioni.

Blushi: Libra do marrë pjesë në zgjedhje

Blushi: LIBRA është konform kushtetutës në këtë rast. Ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhje. Është regjistruar në KQZ, pavarësisht se është e vetmja parti që nuk ka përgjigje nga KQZ. Për ti paraprirë çdo hileje të KQZ kemi marrë  10 –  11 mijë firma, të cilat do ti cojmë nëse kjo është e nevojshme, në fund të javës tjetër kur skadon afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në zgjedhje. Prandaj jam sot këtu për të hartuar listat e kandidatëve të Korçës dhe të gjithë qarkut, për të bërë të mundur të kemi një prezantim të mirë në zgjedhje ku do të shkojë partia e njerzve të zakonshëm.

Blushi: Deklaratat e PD për protestën shpresoj mos jenë serioze

Blushi:  Shpresoj që ajo çka thënë PD të jetë një kërcënim dhe mos jetë një gjë serioze. Unë do të doja që kjo gjë të zgjidhej me kompromis dhe dialog pavarësisht se minutat e fundit janë duke shteruar dhe jemi në limit të kohës. Kam shumë pak shpresë që partitë e vjetra kanë aftësinë të gjenerojnë zgjidhje pa cënuar zgjedhjet, pa cënuar zgjedhjen e Presidentit dhe pa cënuar reformën në drejtësi. Kanë shumë frikë nga drejtësia, kanë shumë frikë nga ndëshkimi. Kjo është arsyeja që nuk do gjejnë zgjidhje, por cdo rast do të kërkoja që kriza të mund të zgjidhej me dialog. Çdo formë kërcënimi nga cilado palë do ishte e dëmshme se në radhë të parë do cënonte stabilitetin e Shqipërisë dhe ne nuk jemi në një faze kur mund të cënojmë atë që kemi arritur në 25 vjet. Duhet ti zgjidhim problemet tona me dialog, tavolinë dhe me zgjidhje, ndoshta me zgjedhje shumë më të shpeshta. Nuk e përjashtoj që jam i bindur në fakt që këto zgjedhje nuk do japin asnjë zgjidhje për Shqipërinë, duhet të kemi të paktën 2-3 herë në 2-3 vitet që vijnë.

Blushi: Këto zgjedhje do e vazhdojnë krizën

Blushi: Këto zgjedhje  do e vazhdojnë krizën, pas këtyre zgjedhjeve do kemi prap krizë. Ne hymë në zgjedhje për ta zgjidhur krizën për ti dhënë shqiptarëve një mundësi një alternativë të re dhe për shkak se për çdo parti është detyrim të hyjë në zgjedhje. Nëse partitë nuk hyjnë në zgjidhje ato janë shoqata. LIBRA është një parti, nuk është një shoqatë. Pavarësisht sakrificave, partitë lindin për të garuar dhe për të kërkuar vota dhe ky është një projekt afatgjatë i cili do të ketë sukses. LIBRA është e përgatitur për të shkuar  në zgjedhje në cdo rast, nuk ka alternativë tjetër. Ne nuk kemi ndërmend të jemi pjesë e tre çadrave që kanë bllokuar bulevardin e Tiranës dhe rrugën e integrimit në BE e kanë bllokuar tre kërpudha, Rilindja PS dhe LSI.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat