Zbulohen porositë e Ramës për deputetët: Kjo është formula të qeverisim 4 vjet

Shqipëria

Zbulohen porositë e Ramës për deputetët: Kjo është formula të qeverisim 4 vjet

Më: 4 maj 2017 Në ora: 10:00
Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste tha dje se data e zgjedhjeve nuk ndryshon. Në takimin që pati në kompleksin “Xibraku” me të gjithë kandidatët për deputetë, Rama u ka kërkuar atyre angazhim maksimal për zgjedhje, me ose pa opozitën.

DATA E ZGJEDHJEVE

“Zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor, është detyrim kushtetues. Data e zgjedhjeve është e vetmja gjë që nuk negociohet”, është shprehur Rama.

REZULTATI

Kreu i PS-së ka kërkuar punë intensive me strukturat e partisë dhe në finale të luftohet për pjesëmarrje të madhe të zgjedhësve. “Objektivi ynë duhet të jetë një rezultat më i thellë se ai i 2013-s, pasi kemi se çfarë t’u themi njerëzve me punën tonë dhe reformat e ndërmarra. Nëse garantojmë votat e 2013 e kemi te sigurt mandatin 4 vjeçar”, mësohet të jetë shprehur Rama, raporton Panorama. 

KOMISIONERET

Kujdes me komisionerët ka kërkuar kryesocialisti. “Komisionerët tanë duhet të jenë njerëz seriozë, të përgjegjshëm dhe të trajnuar mirë, që të mos kemi cenim të standardit zgjedhor. Nuk duam votat që nuk janë tonat”, është shprehur Rama para kandidatëve për deputetë, kryetarëve të bashkive dhe të deputetëve aktualë.

PER LSI

Duke folur për aleatin e tij në koalicionin qeverisës, LSI-në, Rama është shprehur se “aleati do të bëjë punën e tij në këtë fushatë, ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të arrijmë objektivat tona zgjedhore”.

FUSHATA

Para drejtuesve politikë të çdo qarku dhe kandidatëve për deputetë, kryesocialisti ka folur dhe për detaje që lidhen me fushatën. Ai ka kërkuar unifikim të mesazhit të fushatës, ku për çështje të caktuara të gjithë kandidatët të kenë një qëndrim, atë që është qëndrimi personal i PS-së.

Kreu i selisë rozë ka kërkuar që në takimet fizike me njerëzit, kandidatët të sqarojnë efektin e reformave të ndërmarra nga qeveria gjatë këtij mandati katërvjeçar. “Të sqarojmë njerëzit se çfarë ka bërë qeveria në këta katër vjet dhe çfarë nuk është bërë nga ato që premtuam në 2013-n. Të kemi kujdes të sqarojmë mirë çështjen e punësimit si një sukses të qeverisë. Reforma në Drejtësi të sqarohet edhe për lidhjen që ajo ka në ekonomi dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, mësohet të ketë thënë kryesocialisti në takimin e djeshëm.

Një pikë e fortë e fushatës elektorale të PS-së do të jetë edhe programi elektoral i saj, që do të prezantohet në kongresin programor të PS-së, që pritet të mblidhet në ditët në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat