“Po plaket Shqipëria”, Blushi premton 1000 euro për çdo familje që lind një bebe

Shqipëria

“Po plaket Shqipëria”, Blushi premton 1000 euro për çdo familje që lind një bebe

Më: 10 maj 2017 Në ora: 10:52
Kreu i Partisë LIBRA, Ben Blushi

Kreu i Partisë LIBRA ka ngritur sot shqetësimin e plakjes dhe tkurrjes së popullsisë shqiptare.

Përmes një statusi në “Facebook” Blushi shprehet se në vitin 1990 shtoheshim me 80.000 bebe në një vit, ndërsa sot lindim 30.000 fëmijë në vit.

Duke marrë shkasë nga kjo gjendje, Blushi premton 1000 euro për çdo familje për lindjen e një bebeje.

Statusi i Blushit në “Facebook”

Shqipëria po plaket dhe po tkurret. Në një dekadë kemi lindur 50.000 bebe më pak se një dekadë më parë. Në vitin 1990 shtoheshim me 80.000 bebe në një vit, ndërsa sot lindim 30.000 fëmijë në vit. Gjatë vitit 2016 kemi 3000 fëmijë më pak se një vit më parë. Është tragjike masa me të cilën po zvogëlohemi si popull për shkak te dëshpërimit, padrejtësive, papunësisë dhe mungesës kronike të shpresës. Nëse kjo situatë vazhdon pas një dekade do jemi shumë më pak për shkak të lindjeve të ulëta dhe emigracionit masiv. LIBRA do të bëjë çdo përpjekje për t’i bindur shqiptarët të mos ikin si dhe për të stimuluar lindjet duke rikthyer besimin e prindërve se Shqipëria mund të jetë një vend i jetueshëm për fëmijët e tyre . LIBRA do ndjekë një politikë të qartë kundër shpopullimit të vendit duke hapur punë për të rinjtë, duke inkurajuar kthimin si investitorë të emigrantëve në Shqipëri si dhe duke nxitur lindjet. LIBRA do paguajë deri në 1000 euro çdo familje për lindjen e një bebeje duke besuar se të shtosh Kombin sot është detyrim që shoqëria duhet ta shpërblejë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat