Rama sqaron për herë të parë publikisht marrëveshjen e arritur me PD-në

Shqipëria

Rama sqaron për herë të parë publikisht marrëveshjen e arritur me PD-në

Më: 21 maj 2017 Në ora: 18:54
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka sqaruar për herë të parë publikisht marrëveshjen e arritur mes tij dhe liderit të opozitës Lulzim Basha që futi në garën e zgjedhjeve parlamentare të djathtën dhe aleatët e saj, e mbylli njëherësh edhe protestën 3 mujore të tyre kundër qeverisë.

Gjatë “Komunikimit të Javës” në Facebook, kryeministri tha se ndoshta ishte i vetmi person që besonte në arritjen e kësaj marrëveshje, për shkak se hendeku mes mazhorancës dhe opozitës ishte i madh. Marrëveshja për të është rasti që dëshmon se kur një krizë kthehet në një mundësi për fillim të ri. Rama sqaroi se nuk bëhet fjalë për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, duke ju referuar 6 ministrave që sipas marrëveshjes i kalojnë opozitës, e po ashtu edhe krerët e disa enteve publike.

Ministrat e rinj do të jenë “kujdestarë të etikës zgjedhore që do garantojnë mos përdorimin e administratës dhe ndalimin e presionit për të mos marrë votën. Ky është dallimi mes qeverisë teknike dhe ministrave teknikë që përfshihen në një qeveri teknike”.

Sipas Ramës, kjo marrëveshje i jep fund njëherë e mirë historisë së kontestimit të rezultatit zgjedhor, ashtu sikundër sjell  një platformë që do të shërbejë edhe në të ardhmen si model për të zgjidhur krizat politike në vend mes opozitës dhe qeverisë, pa nevojën e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.

“Askush nuk mund të kontestojë rezultatin duke u ankuar për rolin e shtetit”, u shpreh ai duke sqaruar më tej, se nuk ka asnjë shans për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve. Po ashtu kryeministri mohoi aludimet se marrëveshja Rama-Basha u bë për të goditur partitë e vogla për shkak të mosregjistrimit në koalicione

“E godasin marrëveshjen si një pazar bashkëqeverisje PD – PS në kurriz të drejtësisë, partive të vogla, që s’kanë qenë ndonjëherë garante të drejtësisë dhe demokracisë, për vet peshën e tyre. Është bashkëqeverisje në zgjedhje. Fair play mes palëve si asnjëherë më parë në historinë e pluralizmit. PD dhe PS kanë qenë kundërshtare, janë kundërshtare, dhe do të jenë kundërshtare politike”, u shpreh kreu i qeverisë, duke theksuar edhe njëherë ndryshimin e madh mes dy partive.

“Na duhen të paktën 71 mandate për të vazhduar në rrugën e reformave”, – përfundoi Rama.

Dy ditë më parë, i ftuar në emisionin Zonë e Lirë, ish-kreu i LSI-së Ilir Meta, i zgjedhur President, u pyet për deklaratën e Ramës që PS do të fitojë minimalisht 71 mandate, pavarësisht se PD dhe LSI kërkojnë të dalin forca të para politike në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Përgjigjja e Metës ishte po me pyetje: Me PD-në apo vetëm?!. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat