19-vjeçarja nga Durrësi joshi dy shokët për seks dhe u vendosi gjobë, dënohet me dy vjet burg

Shqipëria

19-vjeçarja nga Durrësi joshi dy shokët për seks dhe u vendosi gjobë, dënohet me dy vjet burg

Më: 24 maj 2017 Në ora: 12:20
Ilustrim

Gjykata ka dënuar me 2 vjet burg një vajzë 19-vjeçare, e cila u përdor nga dy djem për të joshur një të tretë seksualisht me qëllim gjobvënien.

Vajza që është dënuar është Oligerta B. 19 vjeçe, ndërsa pas saj qëndronin Marim Leka dhe Edmond Sina, të cilët janë dënuar me nga 3 vjet burg secili.

Këta tre shtetas, janë arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar, pasi kanë futur në kurth shtetasin A.Xh. me qëllim për t’i zhvatur para.

PLANIFIKIMI

Referuar kërkesës për gjykim, të siguruar nga “Panorama”, i dëmtuari A.Xh. ka kallëzuar se më 13 tetor 2016 është shtrënguar për t’i marrë shumën prej 280 eurosh nga shtetasit Edmond S., Marim L. dhe Oligerta B.

Kjo ngjarje ka ndodhur në qytetin e Durrësit, në banesën që i pandehuri Edmond S. ia kishte marrë një shtetasi tjetër që nga muaji shtator 2016. Organizatori i kësaj ngjarjeje, i pandehuri tjetër, Marim L., i cili kishte njohje paraprake me shtetasin A.Xh. dhe dispononte numrin e tij të celularit, i ka kërkuar të pandehurës Oligerta B., e cila në kohën e kryerjes së veprës penale ishte e dashura e Edmond S., që të komunikonte me A.Xh. dhe t’i ngrinin një kurth atij.

Sipas planit, ajo do ta ftonte në shtëpinë ku banonte, do të ofrohej për të kryer marrëdhënie seksuale me të dhe në atë moment do ta gjente Edmond S. dhe Marim L. Më tej, duke e frikësuar dhe kanosur, ta shtrëngonin për t’i marrë paratë. Kështu ka ndodhur, Oligerta B. e ka thirrur disa herë në telefon më datë 12.10.2016 të dëmtuarin A.Xh., i cili banonte në qytetin fqinj me Durrësin.

KURTHI

Të nesërmen e kanë lënë për t’u takuar dhe ka ndodhur gjithçka sipas planit. Në kohën që A.Xh. ka qenë me Oligertën duke u përqafuar, kanë hapur derën të pandehurit Edmond dhe Marim. Ata i kanë kërkuar se çfarë donte ai aty dhe se Oligerta, e prezantuar tek i dëmtuari me emrin Denisa, ishte gruaja e Edmondit. Për këtë ngjarje ata i kanë thënë se do ta çonin në polici A.Xh.

Marimi i ka marrë atij telefonin, e ka fikur dhe e ka futur në xhep. Pas këtij veprimi, i kanë kërkuar 280 euro, me qëllim që të mbyllnin punën me vajzën, Denisën. Të mos e dërgonin në polici dhe se lekët i duheshin për biletën që ta nxirrnin vajzën e prezantuar si Denisa jashtë shtetit për ta kthyer te familja e saj.

Ky person ka marrë një thikë me vete, të cilën e ka futur në xhep dhe bashkë me kallëzuesin, duke thënë se ai i ka thënë se nuk kishte lekë me vete, janë nisur për në qytetin e tij, në mënyrë që ai të merrte lekë në shtëpi.

DESHTIMI         

Pasi kanë marrë një taksi, janë nisur për në qytetin e të dëmtuarit. Diku afër banesës së shtetasit A.Xh., ky i fundit ka zbritur nga makina për të shkuar në shtëpi që të merrte lekët, ndërsa tjetri ka qëndruar në taksi në pritje të tij.

Kallëzuesi rrugës ka takuar një patrullë policie dhe u ka treguar ngjarjen. Rezulton se nga ana e personave është parë afrimi i policisë dhe taksia së bashku me personin e paraqitur është larguar menjëherë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat